GJKKO-ja ka vendosur masën “arrest me burg” për ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepajn, i akuzuar për shpërdorim detyre dhe Ilir Rrapajn i akuzuar për “mashtrim me pasoja të rënda” për koncesionin e sterilizimit.
Siç raporton TCH, zyrtarë të tjerë të përfshirë janë Marsela Seriani dhe Saimir Kadiu të cilët u lanë në arrest shtëpie. Ndërsa, kundrejt Arben Gjatës, Naile Abazit, Gent Burazerit dhe Pertref Mersinit u vendos masa detyrim paraqitje.
Në lidhje me këtë çështje, disa ditë më parë është paraqitur në SPAK ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, pasi koncesioni u dha gjatë kohës që drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë.
Lidhur me çështjen, në SPAK dha dëshminë e saj edhe ish-ministrja e Financave, Anila Denaj dhe ish-zëvendësministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Kujtojmë se në muajin qershor, SPAK-u tërhoqi dokumentet e sterilizimit dhe chekup në spitalet e vendit, lidhur me shërbimet që kryejnë, sasitë dhe pagesat e bëra për koncesionaret që kanë fituar tenderin.
Hetimet e SPAK-ut që zgjasin prej dy vjet e gjysmë konstatojnë se koncesioni është dhënë në kundërshtim me ligjin.
Dosja e sterilizimit u kallëzua gjatë vitit 2019 nga “Nisma Thurje”, që theksoi se kontratë e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale e Partneritetit Publik Privat, firmosur në vitin 2015 në mes të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqja dhe kompanisë koncensionare “Sani Srevice” po i shkaktonte shtetit dëm ekonomik.
Një auditim i KLSh-së ka konstatuar se pajisje me vlerë gati 107 milionë lekë të blera nga qeveria shqiptare iu dhuruan koncesionarit pa pagesë dhe pa asnjë parashikim në kontratë./TCH