Shërbimi Spitalor Klink dhe Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se në Klinikën Infektive të QKUK-së, nga muaji korrik i këtij viti, e deri më sot, janë trajtuar 45 pacientë me meningjit tek moshat pediatrike dhe 20 raste tek të rriturit.
Sipas ShSKUK-së, dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve, teksa shton se situata është në kontroll të plotë.
“Dy muajt e fundit vërehet rritje e numrit të pacientëve, krahasuar me muajt paraprak, por situata është nën kontroll të plotë dhe Klinika Infektive ka kapacitete të mjaftueshme profesionale dhe hapësinore për të trajtuar pacientët”- thuhet në njoftim.
ShSKUK thotë se aktualisht, në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar 11 raste me meningjit, dy prej tyre pediatrike, përderisa nga muaji janar, deri në muajin korrik të këtij viti në trajtim ishin 38 pacientë.
“Këto shifra u bënë të ditura gjatë takimit që pati drejtori përgjithshëm i ShSKUK-së, Elvir Azizi, me drejtorin e Klinikës Infektive, Arben Vishaj dhe stafin e klinikës”- theksohet në njoftim.
Shërbimi Spitalor ka bërë aplek tek qytetarët të respektojnë me përpikëri masat e rekomanduara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike.
Më tej ShSKUK ka treguar se shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale, ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije.
Disa nga simptomat e sëmundjes janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër. Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit.
Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës.
Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqëndrimit dhe mungesë oreksi.
Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, ShSKUK udhëzon se qytetarët duhet menjëherë të konsultohen tek mjeku dhe se meningjiti trajtohet vetëm në spital.