Ministri për Komunitete dhe kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka reaguar pasi tre policë të rinj nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës, një muaj pasi e kanë marrë detyrën.
Rashiq ka theksuar se ata e kanë filluar dhe përfunduar “karrierën e tyre të shkurtër me shënjestrim, fyerje, nënçmim, me kërcënime ndaj tyre por edhe ndaj familjarëve”.
Sipas tij, nuk ka asnjë serb të Kosovës që s’i ka ndjerë kërcënimet e tilla të paktën një herë.
“Fatkeqësisht, ndoshta nuk ka asnjë serb të Kosovës që të paktën një herë personalisht të mos i ketë ndjerë kërcënimet e egra nga ‘forca e padukshme malore’ që shkatërron çdo vepër dhe çdo dëshirë për bashkëjetesë në Kosovën tonë të bukur me metodat e saj shkatërruese. Në 11 vitet e fundit të mbijetesës dhe qëndrimit tonë këtu i janë bërë dëme të pariparueshme dhe sigurisht që nuk mbaron me kaq, na thonë se do të ‘luftojnë’ deri në serbin e fundit kosovar”, thuhet në reagimin e ministrit Rashiq.
Rashiq u ka premtuar serbëve të Kosovës se do ta përdor të gjithë kapacitetet e tij që t’u ndal në ndihmë.
“Nga sot, dua t’ju premtoj se do të jem me ju me të gjithë kapacitetin tim personal dhe institucional. Dera ime do të jetë e hapur për të gjithë ju. Unë personalisht, si dhe Ministria për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, vihemi në dispozicionin tuaj, për të ju ndihmuar në çdo mënyrë të mundshme që të ngadhënjejmë mbi frikën, sfidat, e dyshimet tona…”, thuhet në reagimin e Rashiqit.