Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbledhur pasditën e sotme në një takim kabinetin e tij qeveritar.
Disa media raportuan se kryeministri Kurti ka thirrur takimin e Qeverisë pas ngjarjeve të sotme, ku nën dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore janë arrestuar tre persona, dy zyrtarë në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmen.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, për Dukagjinin ka mohuar që kabineti qeveritar të jetë mbledhur pas arrestimeve të sotme në MINT.
Kryeziu ka thënë se ky takim ishte planifikuar një javë më parë.
“Kryeministri Kurti ka zhvilluar sot një takim intern me kabinetin qeveritar, siç ishte planifikuar një javë më parë. Nuk ka të bëjë me zhvillimet e sotme. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi mbarëvajtjen e projekteve dhe progresin në përmbushjen e planit strategjik-operacional e të programit qeverisës”, ka thënë Kryeziu.