Avokati i Ridvan Muharremit, Mahmut Halimi, ka deklaruar se klienti i tij është i pafajshëm karshi akuzave me të cilat përballet.
Në një fjalë pas përfundimit të seancës dëgjimore, Halimi ka deklaruar se Muharremi kishte kontribuuar për Kosovën në çështjen e rezervave të shtetit.
“Prokuroria ka pasur pretendimet e veta në tonat, tani është në dorën e tyre. Po flas në emër të klientit tim, Ridvan Muharremi, nuk ka pasur asnjë pozitë në ministri. Është mbi baza vullnetare, duke pasur parasysh se kohën relevante kur ka ndodhur ato ngjarje, e dimë se ka qenë koha pas agresionit rus në kohën e Ukrainës dhe ka pasur ndikim në artikuj ushqimorë. E di që ministria është përpjekur disa herë të krijojë të mirë materiale, ushqime për rezervat se rezervat kanë qenë 0 mjete, 0 materiale. Përmes një mikut të tij i njohur si biznesmen…ka krijuar raporte miqësore dhe iu ka lutur se a mundet pasi nga ministria e kanë telefonuar dhe i kanë deklaruar t’i ndihmojë për të gjetur grurë”, ka deklaruar ai.
Sipas avokatit, Muharremi kishte ndihmuar në këtë çështje, me kërkesë të ministres Hajdari dhe pa pagesë. Siç thotë avokati, Muharremi kishte shpenzuar 23 mijë e 500 euro nga xhepi i tij.
“Ditën kur u krye transaksioni dhe është nisur malli për të ardhur këndej, Ridvani ka udhëtuar dhe u kthye në Prishtinë dhe i njoftoi në Ministri që emaili do të vijë në portin e Durrësit dhe dikush duhet të shkojë që e bën kontrollimin. Këta mandej e angazhuan doganën..ato procedura u kryen përmes tyre. Ridvani deri këtu e kreu, në shpenzime të veta. Atë e angazhoi ministrja Hajdari. E ka njohur dhe e ka njohur si person afarist që ka traditë të gjatë…”, ka deklaruar ai.
Avokati ka deklaruar se gruri ka arritur në Kosovë, dhe se nga seanca e sotme pret drejtësi.
Gjatë mëngjesit të së premtes, pas një muaji të përgjimeve që u etiketuan si “Afera e vajit dhe e grurit”, Policia e Kosovës kreu bastisje në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, dhe te pronat e biznesmenit Ridvan Muharremi, nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore.
Fillimisht, bastisja u krye te banesa e Ridvan Muharremit dhe te një lokal i tij, ku pastaj i njëjti edhe u shoqërua në polici. Kurse në MINT, u arrestuan dy zyrtarë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica.
Bastisja e pronave të Muharremit nisi në orën 6:00 të mëngjesit, për të vazhduar më pas në bastisjen e ambienteve të MINT-it në orën 8:00.
Në polici janë shoqëruar drejtori i Departamentit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, ish-sekretari Irfan Lipovica.
Gara është shoqëruar në polici nga ambientet e MINT-it.
Disa zyrtarë policorë së bashku më disa dokumente që janë marrë brenda zyrave, janë larguar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
Kjo ministri dyshohet se u bastis për shkak të dyshimeve për keqpërdorime të rezervave shtetërore, respektivisht të vajit dhe të grurit.
Gara dhe Lipovica dëgjohen në disa audioincizime të siguruara nga mediumi “Nacionale” duke thënë se vaji i paguar nga shteti i Kosovës nuk ka ardhur nga Polonia në Kosovë.