Avokatët në Kosovë kanë paguar tatime mbi 5 milionë euro në periudhën janar-korrik të këtij viti. Kurse në vitin 2022, të njëjtit kishin paguar tatime mbi 8 milionë euro.
ATK-ja mbetet “e kënaqur” me pagesat e tatimeve nga ky sektor, por ka njoftuar se edhe nga sektori i estradës ka dyfishim të të hyrave nga këngëtarët në Administratën Tatimore.
Ndërkaq, sektori i gastronomisë është nën llupën e ATK-së, pasi ky sektor ka parregullsi për moslëshimin e kuponëve fiskalë.
Zëdhënësja e Administratës Tatimore e Kosovës, Valentina Bytyqi-Sefa, ka deklaruar për KosovaPress se në Kosovë janë mbi 2 mijë avokatë dhe individë të tjerë që operojnë në këtë fushë.
Sipas saj, pagesat nga ana e kësaj kategorie janë të konsiderueshme.
“Kemi mbi 1 mijë avokatë në vend, mirëpo në bazë të (natsekodit) kemi 2 mijë e 160 individë të cilët janë jo vetëm avokatë të licencuar, por edhe persona të cilët merren me fushën e drejtësisë. Nëse i referohemi pagesave të kryera në periudhën komplet vitin 2022, kemi 8.2 milionë euro pagesa, ndërsa për përudhën janar – korrik 2023 kemi të hyra nga avokatët 5.1 milionë. Sigurisht që janë avokatë, mirëpo mund të ketë edhe individë të tjerë të cilët nuk kanë licencën e avokatit, mirëpo avokojnë në këtë fushë”, thotë ajo.
Bytyqi-Sefa ka thënë se krahasuar më të hyrat nuk ka vend për dyshime për mosdeklarim të të hyrave nga avokatët.
“Nga shifra që i prezantuam shihet që janë të hyra mjaft të mira. Këto shifra nuk lënë edhe shumë hapësirë që ne të kemi dyshime për mosdeklarim. Sigurisht që mund të ketë pagesa të vogla nga natyra e punës që ata kanë, por një përqindje e konsiderueshme kryhen përmes transaksioneve bankare. Mund të ketë edhe shuma të vogla që nuk kanë edhe risk të madh në ATK, të cilat mund të bëhen kesh”, shprehet ajo.
Sfidë për ATK-në mbetet moslëshimi i kuponëve fiskalë nga ana e bizneseve.
Sipas zëdhënëses, ATK në tre muajt e verës ka inspektuar veçanërisht sektorin e gastronomisë, pasi qytetarët kanë bërë ankesa për moslëshim të kuponëve fiskalë dhe për lëshim të kuponëve jofiskalë.
“Kemi biznese që janë të fiskalizuara, mirëpo problemi më i madh është për mosprintimin e kuponit fiskal. Andaj, ne në forma të ndryshme jemi duke tentuar për të luftuar këtë dukuri, duke rritur bashkëpunimin edhe me qytetarë sepse e kemi të pamundur t’i monitorojmë bizneset nëse janë duke lëshuar kuponë fiskalë ose jo. Sepse po kemi raportime nga ana e qytetarëve, shpeshherë kur nuk iu është dhënë kuponi fiskal dhe raste të tjera që qytetarëve i janë dhënë kuponë jofiskalë. ATK në tre muajt e verës ka inspektuar me theks të veçantë sektorin e gastronomisë dhe aty kemi hasur në disa parregullsi tatimore ku nuk janë lëshuar kuponët fiskalë siç kërkohet me kornizat ligjore”, thekson Bytyqi – Sefa.
Sa i përket estradës, ajo ka thënë se ka një dyfishim të deklarimit të të hyrave nga këngëtarët, krahasuar me dy vitet e kaluara.
“Ne kemi dyfishim të pagesave të këngëtarëve për dallim nëse i kthehemi dy viteve paraprake. Jemi të kënaqur me atë që është duke u deklaruar edhe në qarkullim dhe pagesa. Urojmë që këngëtarët sikurse kanë deklaruar vitin e kaluar të vazhdojnë të deklarojnë pas këtij sezoni për obligimet që kanë ndaj vendit”, theksoi ajo.
Administrata Tatimore e Kosovës ka lëshuar 7 mijë e 800 gjoba kryesisht për bizneset që nuk respektojnë ligjin për printimin e kuponëve fiskalë. /KSP