Murati akuzon prokurorinë e cila hodhi poshtë kallëzimin penal për rrugën Kijevë-Zahaq

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se këtë muaj bëhen 2 vjet prejse kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale për rastin me keqpërdorimin e shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zaha

Ministri i Financave, Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka akuzuar prokurorinë, pasi Prokuroria Speciale e hodhi poshtë kallëzimin penal për keqpërdorime të mundshme gjatë shpronësimeve për rrugën Kijevë-Zahaq.

Me anë të një postimi në Facebook, ministri Murati ka thënë se këtë muaj bëhen dy vjet prej se kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurorinë Speciale.

“Kallëzimit penal ia pata bashkangjitur edhe raportin e auditimit, i cili ndër tjera kishte gjetur se: Vlera e pronave që parashihej të shpronësoheshin, në databazën e tatimit në pronë ishte rreth 6 milionë euro. Më 17 maj 2019 ishte dorëzuar tabela e vlerësimit, dhe vlera e këtyre pronave ishte vlerësuar 31 milionë euro, pra rreth 5-fish më shumë sesa vlera e vlerësuar për tatim në pronë. Më 17 dhjetor 2019, pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, edhepse qeveri në dorëheqje, Qeveria e PAN-it e udhëhequr nga Haradinaj, kishte miratuar vendimin për shpronësim përfundimtar, por me tabela tjera të vlerësimit, e jo ato të prezantuara më 17 maj 2019”, shkroi ai.

Sipas Muratit, dallimi ishte se nga 31 milionë euro që ishte në tabelën e parë, “e që veçse ishte e fryrë, vlera në tabelën e miratuar më 17 dhjetor ishte 43 milionë euro. Pra rreth 12 milionë euro ndryshim për 6 muaj”.

Për më tepër, ai ka theksuar se rritja nuk ishte bërë si rezultat i ndonjë ndryshimi në vlerësimin e të gjitha parcelave, por kjo fryrje vinte si rezultat i dyfishimit në vlerë për parcela me pronarë të caktuar.

“Si Qeveri që e lufton korrupsionin, krejt çfarë ka qenë në dorën tonë e kemi bërë. Pra, indetifikimin e rastit. Mbledhjen e provave, dhe dorëzimin e tyre në prokurori. Kemi anuluar edhe vendimin për shpronësim, në mënyrë që të mbrohet buxheti nga paditë potenciale”, shtoi më tej ai.

Murati ka potencuar se një hetim i mirëfilltë i zhvilluar nga prokuroria do të nxirrte në pah edhe arsyet se pse u bënë këto rritje të vlerave dhe kush i kishte porositur.

“Por çfarë ka bërë Prokuroria Speciale? E hedh poshtë kallëzimin penal.  Këtë e bën me arsyetimin se me vendimin e qeverisë për anulim të shpronësimeve (vendim i Qeverisë Kurti), është evituar dëmtimi i buxhetit. Dhe meqenëse nuk ka dëmtim të buxhetit, nuk ka as vepër penale të cilën prokuroria duhet ta hetojë më tutje. Pak a shumë, ky ka qenë arsyetimi. Pra të gjitha provat e faktet hidhen në ujë, sepse bëhej fjalë për një rast ku ishte e përfshirë kasta e vjetër”, ka shkruar ministri.

Postimin në Facebook të Muratit lidhur me Prokurorinë e ka shpërndarë ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ajo ka thënë se njësoj kanë vepruar PSRK edhe me kallëzimin penal ndaj ish-ministrit të Drejtësisë dhe ish-drejtorit të burgjeve, të cilët, sipas saj, pronën e MD-së ia kishin dhënë një oligarku, pa asnjë bazë ligjore.

“PSRK pati thënë nuk ka bazë për ndjekje sepse e keni ndalur dëmin ani pse dëmi ishte shkaktuar tashmë”, ka shkruar ajo.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika