Një aksident trafiku ka ndodhur në fshatin Novolan të Vushtrrisë mbrëmjen e së dielës, rreth orës 17:30, ku janë lënduar dhjetë persona dhe janë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme.
Në njoftimin e lëshuar nga Policia e Kosovës, konfirmohet se ngjarja ndodhi mes një grupi prej tre automjetesh, të drejtuar nga meshkuj kosovarë.
Pas aksidentit, dhjetë personat e lënduar fizikisht iu nënshtruan menjëherë trajtimit mjekësor.
“Fsh. Novolan, Vushtrri 20.08.2023-17:30. Raportohet për një aksident trafiku në mes tre automjeteve me ngasës meshkuj kosovarë. Përveç dëmeve materiale, lëndime trupore kanë pësuar 10 (dhjetë) persona, të cilët kanë pranuar tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Gjithashtu, Policia ka konfirmuar se Prokuroria është njoftuar në lidhje me këtë ngjarje dhe se rasti është aktualisht nën hetim për t’i sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.