Deputeti LDK-së, Driton Selmanaj, ka kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, pasi ky i fundit ishte i ashpër ndaj prokurorëve të Prokurorisë Special.
Kurti para disa ditësh ka komentuar aksionet e Policisë së Kosovës në tri lokacione, ku u arrestuan dy zyrtarë të Ministrisë Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Ministri kjo e udhëhequr nga Rozeta Hajdari. I arrestuar i tretë është një biznesmen nën dyshimet për “dallavere” me rezervat shtetërore.
Kurti kishte thënë se qeverisja e tij i prodhon si fituesit, ashtu edhe humbësit e saj. Sipas tij, humbësit i gjen tek “elita e vjetër dhe korruptuar politike”, të gjykatësit, prokurorët dhe të mediat e keqpërdoruara.
Kurse, sipas deputetit të LDK-së, në vendet demokratike hajnat dhe shkelësit i mbron dhe i përfaqëson avokati, ndërsa në Kosovë, kryeministri.
“Në vendet demokratike, hajnat dhe shkelësit e ligjit, i mbron dhe i përfaqëson avokati. Në Kosovën tonë i mbron dhe i përfaqëson kryeministri dhe qeveria e tij”, ka shkruar Selmanaj.
Më tej, Selmanaj ka thënë se në vendet demokratike hajnat dhe shkelësit e ligjit i ndjek dhe i akuzon Prokuroria, kurse në Kosovë, Prokuroria linçohet dhe sulmohet nga kryeministri dhe qeveria e tij.
“Në vendet demokratike hajnat dhe shkelësit e ligjit i ndjek dhe i akuzon Prokuroria. Në Kosovën tonë, prokurorët dhe organet ndjekëse i linçon dhe i sulmon kryeministri dhe qeveria e tij. E papranueshme, e dënueshme, e gërditshme!”, ka shtuar Selmanaj.