Kryetari i Këshillit të Prindërve, Besnik Dragusha, ka thënë se në krahasim me vitet paraprake, librat për fëmijë mund të kushtojnë deri në 80 euro.
“Nuk kemi informacione se sa kushtojnë aktualisht, nga vitet paraprake, kanë kushtuar nga 70-80 euro që librat për një fëmijë”, ka thënë Dragusha për Klan Kosovën.
“Unë kuptova që fillimisht do të bëhet rimbursimi i librave dhe më pas do të bëhet blerja që nënkupton parapagim dhe jo rimbursim”.
Dragusha ka shtuar se ata do të dëshirojnë që të bëjnë realizimin e kësaj duke u bazuar në çmimet e viteve paraprake.
Ai në fund i bëri thirrje ministrisë që t’i blejnë librat dhe të shpërndahen si më herët.
“Për ne si prindër, do të ishte më e leverdishme, dhe ne i bëjmë thirrje ministrisë, që realizimin, ata t’i blejnë librat, nuk kemi nevojë për rimbursime por ne kemi nevojë për libra të gatshëm që shpërndahen në shkolla si ka qenë në vitet paraprake”, ka shtuar ai.
Gjatë ditës së sotme në një konferencë për media, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka bërë të ditur se është duke e shqyrtuar mundësinë që këtë vit t’i transferojë mjetet financiare në llogaritë e prindërve, në mënyrë që ata t’i blejnë tekstet shkollore për fëmijët e tyre.
Ajo ka thënë se kjo është bërë në mënyrë që të mos ketë hapësirë për keqpërdorime të çmimeve me libra shkollor.
Deri më tani tekstet shkollore janë blerë nga shtëpitë botuese dhe nuk ka pasur nevojë që prindërit t’i blejnë vetë ato.
Me vendimin e ri mjetet do të alokohen në llogari të prindërve dhe ata do t’i blejnë në librari.
“Sivjet jemi duke shqyrtuar mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore sipas obligimit ligjor të MASHT-it të bëhet në llogaritë e prindërve dhe t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shpejt brenda dy tri ditëve do të vendosim përfundimisht për këtë që po e shqyrtojmë”, ka thënë tutje Nagavci.
Rimbursimi, sipas Nagavcit, do të bëhet përmes faqes “e – Kosova”, ku shumica e prindërve kanë të hapur llogari.
“Mënyra si është menduar të bëhet rimbursimi ka të bëjë me derdhjen e mjeteve në xhirollogari. Është dizajnuar faqja në e-Kosova. Pjesa më e madhe e prindërve i kanë të hapura llogaritë. Do të jetë proces i lehtë, ku prindi në momentin që identifikon veten dalin emrat e fëmijëve, do të zgjedhet shkolla që krejt të shkojë në rregull, dhe në fund është edhe një klauzolë ku secili e merr përgjegjësinë që mjetet do t’i marrë, do t’i përdorë për blerjen e teksteve. Pagesa do të bëhet paraprakisht, pra mjetet të dalin e pastaj ato të shpenzohen për libra. Nuk do të ketë nevojë për fatura e tema të tjera. E kemi paraparë një shënim ku prindi e verifikon që mjetet i vendosen në llogari do t’i përdorë për blerjen e teksteve për fëmijë. Këto janë obligime të përbashkëta, të qeverisë, prindërve, shkollave e komunave”, ka shtuar ajo.
Nagavci ka shtuar tutje se nuk do të ketë vonesa dhe se librat do të jenë gati me një shtator kur edhe do të fillojë viti i ri shkollor.I