Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Serbia po flet me gjuhën “e të fuqishmit” dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën.
Sipas tij, kjo gjuhë i takon të kaluarës e cila i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit.
“Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën. Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t’i kthehet gjuhës së arsyes”, shkroi ai në Facebook.
Kreu i AAK-së ka theksuar se Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike.
“Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga “status quo” në të cilën gjendet”, shtoi më tej ai.