Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se refuzojnë “ndërhyrjen dhe vërejtjet” e Serbisë për Maqedoninë e Veriut, pasi që e ka njohur Kosovën.
Me anë të një postimi në Facebook, Osmani ka theksuar se janë të angazhuar për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal.
“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Angazhohemi për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Republikën e Serbisë dhe Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Osmani ka thënë se presin sqarim nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili deklaroi se me njohjen e Kosovës Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi gabuan dhe ndërhynë në punët e brendshme të Serbisë.
Një reagim e ka pasur edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, përmes një publikimi në profilin e tij në “X” duke e etiketuar këdo që kërkon të minojë stabilitetin dhe integritetin e Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si të rrezikshëm dhe të papranueshëm dhe ka deklaruar forcërisht se nuk do ta lejojë askënd ta kthejë Ballkanin pas në kohë.