Zyrtarë të lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi kanë reaguar pas deklaratave të ministrit serb, Millosh Vuçeviç, i cili tha se dy vendet e kanë zemëruar Serbinë në momentin që e kanë njohur Kosovën.
Po ashtu, ai e ashpërsoi edhe më tej gjuhën duke i kërcënuar dy vendet e Ballkanit se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë se ato janë të mbrojtura.
Këto kërcënime, ministri i Jashtëm i Maqedonisë të Veriut, Bujar Osmani, i ka cilësuar si të papërshtatshme. Ai ka thënë se Maqedonia e Veriut është për paqe dhe se shtetit të tij i intereson stabiliteti i gjithë rajonit.
”Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, shkroi Osmani.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, tha gjithashtu se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose indirekt me aktorët e huaj në krijimin e Qeverisë në Mal të Zi.
“Pres që formimi i Qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirshëm të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, si dhe në prioritetet programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardit jetësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës”, shkroi Milatoviq.