“The New York Times” për arratisjen e Ismail Qemalit nga Stambolli

Arratisja e Ismail Qemalit nga Stambolli më 1 maj 1900 bëri bujë në Pallatin Yildiz dhe tronditi Sulltan Abdülhamid II. Kjo ngjarje pati një ndikim të rëndësishëm brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane

Arratisja e Ismail Qemalit nga Stambolli më 1 maj 1900, bëri bujë të madhe në pallatin perandorak “Yildiz”, dhe e tronditi Sulltan Abdyl Hamidin II.

Kjo ngjarje pati jehonë të madhe brenda dhe jashtë Perandorisë Osmane.

Gazeta e mirënjohur amerikane, “The New York Times” [NYT], në dy artikuj që mbajnë datat 2 maj dhe 3 maj 1900, do të pasqyronte lajmin dhe kërkesën për azil të Ismail Qemalit në luftanijen britanike. NYT e përshkruan emërimin e tij si guvernator i Tripolit, si të barasvlefshëm me internimin e tij.

Ismail Qemali menjëherë pasi u njoh me vendimin e Sulltanit për emërimin e tij si guvernator i Tripolit, vendosi të arratisej nga Stambolli për në Evropë, me ndihmën dhe mbrojtjen e ambasadorit britanik në Stamboll, Sir Nicholas O’Connor. Qemali, përgjatë gjithë jetës së tij, ishte liberal filobritanik.

Dhe, njohjet e tij në qarqet e larta të politikës dhe diplomacisë britanike i shfrytëzoi fillimisht për të siguruar përkrahjen britanike në realizimin e një grusht shteti të dështuar ndaj Sulltan Abdyl Hamidid II dhe më pas për themelimin e Shqipërisë.

Në vitin 1901, Ismail Qemali ka marrë pjesë në ceremoninë mortore të Mbretëreshës Viktoria në Londër. Qemali ishte ndër të paktët personalitete otomane që përpiqej të ndryshonte sistemin e qeverisjes në Perandorinë Osmane.

Me mbështetjen e ambasadorit të atëhershëm britanik në Stamboll, Sir Philip Currie, Qemali botonte gazetën me pikëpamje liberale me titull “Rruga e Ideve” (Mecra-yı Efkar) e cila promovonte idetë liberale për reforma decentralizuese dhe korrte sukses në qarqet intelektuale otomane.

Në vijim, vetëm pas këmbënguljes së madhe të sulltanit, kjo gazetë u mbyll. Sulltan Abyl Hamidi II u përmbajt nga vendimi për ta arrestuar Ismail Qemalin, vetëm për shkak se ai gëzonte mbrojtje diplomatike nga Britania e Madhe dhe se një veprim i tillë do të kishte pasoja në marrëdhëniet dypalëshe.

Por, menjëherë pas një manifestimi në konsullatën britanike, të organizuar nga Ismail Qemali, Sulltani vendosi dëbimin e Ismail Qemalit duke i dhënë atij postin e guvernatorit të Tripolit.

Ky ishte i vetmi ndëshkim që Sulltani mund t’i jepte atij në atë moment. Sulltan Abyl Hamidi II ishte i vetëdijshëm për mbrojtjen që do t’i jepnin atij britanikët, në rast të arrestimit ose internimit të Ismail Qemalit.

Prandaj, Sulltani e pa largimin e Qemalit nga kryeqyteti si zgjidhjen më të mirë.

Tripoli ishte një nga provincat më të largëta dhe më të vështira të Perandorisë Osmane, e cila kishte lidhje me Stambollin vetëm me rrugë detare.

Gazeta “The New York Times” thekson rëndësinë që kishte kjo ngjarje duke e krahasuar me arratisjen e kunatit të Sulltan Abdyl Hamidit II, princit Damad Mahmud Pashës, ish-ministër i Drejtësisë dhe ish-ambasador: “Arratisja e Ismail Qemalit nuk është më pak e rëndësishme sesa ajo e Mahmud Pashës, kunatit të Sulltanit, i cili u zhduk nga Kostandinopoja më 14 dhjetor dhe konsiderohet si një tjetër simptomë e gjendjes aktuale në Turqi”.

Ismail Qemali përshkruhej nga shtypi evropian si “një njeri i drejtë, i ndriçuar, dhe i edukuar”.

Lajmi i arratisjes së Ismail Qemalit u pasqyrua gjerësisht në shtypin e evropian të kohës dhe bëri bujë edhe në Shqipëri.

Ky moment do të shënonte një pikë kthese vendimtare për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe të ardhmen e saj.

Arratisja nga Stambolli e veshi Ismail Qemalin me një aureolë të shndritshme dhe me mantelin e heroit në sytë e shqiptarëve.

Në qershor të vitit 1901, Gjykata Penale e Stambollit e dënoi Ismail Qemalin me vdekje në mungesë, me konfiskimin e pronave dhe humbjen e të drejtave civile.

Ai u akuzua për “orvatje për të nxitur popullin kundër Qeverisë dhe Sulltanit nëpërmjet botimeve për kryengritje dhe me mënyra të tjera”.

Kujtesa popullore e ka fiksuar me këto vargje emblematike këtë çast:

O Qemal kur të përzunë

Kur të përzuri Turqia
Cili je ti more burrë?

Që na vjen nga Shqipëria
Unë jam ‘Smail Qemali
Mbrapa më vjen historia

Sazan e Karaburun
Janë vatanet e mia
Do ti marrë se s’është punë
Është e jona Shqipëria.”

Konsulli austro-hungarez në Vlorë, Petroviq, do t’i shkruante proverbialisht ambasadorit austro-hungarez në Stamboll, baronit Kaliçe, në një raport të datës 14 maj 1900 se “tek Ismail Qemali, shqiptarët shohin udhëheqësin e tyre të ardhshëm”. Nga Brukseli, në tetor të vitit 1900, Ismail Qemali do t’ju drejtonte një thirrje gjithë shqiptarëve, ku ndër të tjera shkruante: “Të gjithë sa jemi shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj, duhet të bashkohemi dhe ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit, duke i treguar Evropës se shqiptari ka mbetur gjithmonë evropian në gjak dhe se nuk dëshiron gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet”.

 

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika