Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se nuk ka shkuar në takimin joformal në Greqi për shkak se nuk ka dashur “ta shqetësoj mikpritësin dhe të ftuarit e tij”.
“Këtu është përgjigja ime për të gjithë ata, në Greqi, Shqipëri apo gjetkë, që komentuan në mënyra të ndryshme ose u hutuan nga mungesa ime në Athinë, por edhe për gazetarët që kërkuan mendimin tim dhe nuk morën përgjigje para ngjarjes. Arsyeja është e thjeshtë: nuk doja të shqetësoja mikpritësin dhe të ftuarit e tij, duke e shtuar zhurmën para se miqtë e mi të mirë të mbledhur në Athinë të përfundonin punën e tyre”, tha ai.
Rama tha se shpreson se takimi në mes të liderëve të Ballkanit Perëndimorë të ketë shkuar mirë derisa shtoi se komunikimi me njëri-tjetrin është i domosdoshëm që rajoni të ecë përpara.
“Shpresoj shumë që takimi të ishte produktiv dhe sigurisht, më mirë të mos e kisha parë darkën e përdorur për t’i dërguar Shqipërisë një mesazh kontradiktor kundrejt qëllimit shumë më ambicioz të nismës dhe shpresoj që ky fakt fatkeq të mos ngatërrojë të ftuarit. Për sa më përket mua, të flasësh, të komunikosh, të debatosh me miqtë, aleatët, partnerët dhe fqinjët, para së gjithash, është thelbi i politikës ndërkombëtare dhe të përpiqesh, gjithmonë të përpiqesh, të vendosësh veten në vendin e tjetrit është një domosdoshmëri. Aq më tepër kur gjërat duket se shkojnë keq”, tha ai.
Here is my answer for all those, in Greece, Albania or elsewhere, who commented in various ways or were perplexed by my absence in Athens, but also for the journalists that asked for my opinion and didn’t get a response before the event. The reason is simple: I did not want to… pic.twitter.com/Gu1XB2dZiV
— Edi Rama (@ediramaal) August 22, 2023
Kryeministri i Shqipërisë tha se në Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit që do të mbahet në Shqipëri do ta ftojë kryeministrin e Greqisë, për të cilin, tha se ka respekt të madh.
“Në tetorin e ardhshëm Shqipëria do të kryesojë Samitin e Procesit të Berlinit të këtij viti në Tiranë. Natyrisht, miku im i dashur dhe kolegu shumë i respektuar në Athinë është ftuar të marrë pjesë dhe nuk mund ta imagjinoja kurrë të ftoja në vend të tij presidentin grek, për të cilin kam edhe respektin më të madh”, tha Rama.
Ndryshe, mediat në Shqipëri kanë raportuar se në vend të Ramës ishte ftuar në Athinë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.