Emisioni “Super Trend” me Drilonën dhe Mirdonin këtë javë solli një mysafir mjaft të veçantë.
Kastriot Zeqiri, një artist shumë i talentuar dhe i gjithanshëm përformoi me kitarën e tij në studion e Radio Dukagjinit.
Zeqiri bëri të ditur se ai është udhëheqësi artistik i Ansamblit Folklorik dhe Popullor “Kemajl Azizi”, ku shërben si këngëtar dhe poli-instrumentist, duke luajtur në piano, harmonikë, kitarë, bass kitarë,çifteli dhe sint. Kastrioti e ka të përfunduar edukimin muzikor.
Ansambli “Kemajl Azizi” ku ai bën pjesë është pranuar para dy vitesh si partner me të drejta i organizatës më të madhe të folklorit në botë, nën përkujdesjen e UNESCO-s. Ansambli në vete përmban 180 anëtarë nga e gjithë Kosova.
Së fundmi Zeqiri ka përfaqësuar Kosovën për herë të parë në një festival folklorik në Zvicër, festival ky me renome që vazhdon për mbi 70 vjet. Ai e konsideroi përfaqësimin e Kosovës në këtë festival si më unik nga vendet tjera.