Në një njoftim nga Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) është bërë e ditur se Kolegjiumi i Drejtorëve Komunal të Arsimit me shqetësim ka marrë lajmin e Ministrisë së Arsimit për çështjen e furnizimit me libra shkollor.
“Për Drejtoritë Komunale të Arsimit, është me rëndësi që mësimi të fillojë pa vonesa dhe viti i ri shkollor të gjejë nxënësit me libra”, thuhet në njoftim.
AKK-ja tutje thotë se “ne jemi të bindur që propozim vendimi i MASHTI-it do të krijojë vonesa dhe humbje efektive të mësimit”.
Përndryshe AKK-ja thotë se “Ministria e Arsimit nuk ka njoftuar Komunat për propozimet e reja dhe ato nuk kanë pasur paraprakisht asnjë njoftim zyrtar nga ana e Ministrisë”.
Por, gjithsesi, si gjithmonë, Asociacioni i Komunave të Kosovës thotë se “Komunat janë të gatshme të ndihmojnë Ministrinë në shpërndarjen e teksteve shkollore”.
“Për ne është e domosdoshme që Ministria e Arsimit të sigurojë sa më parë librat shkollor, që mësimi të fillojë në kohë, e që humbjet e orëve të mos përsëriten sikur vitin e kaluar. Në të kundërtën, barrën e vonesave do ta bartin nxënësit në mësimnxënie e prindërit në financim të librave”, përfundon njoftimi nga ana e AKK-së.