Diana Hoti, dhuruese vullnetare e gjakut tregon që nisma për dhurimin e gjakut erdhi pas një fatkeqësie, nismë kjo që vazhdon edhe tash pas 17 vitesh.
E ftuar në emisionin “Rreth e Rrotull”, në RTV Dukagjini, Hoti tregon se në një aksident rrugor, pëson burri i tezës së saj, e që u detyruan të trokasin në çdo shtëpi të fshatit Ratkoc, që të gjejnë dhurues me grup të njëjtë të gjakut.
“Për arsye se grupi i gjakut ka qenë shumë i rrallë, dhe se publiku nuk ka qenë i informum, kështu që në kemi vazhduar në fshatin Ratkoc, shtëpi për shtëpi me kërkua grupin e gjakut”, është shprehur Hoti.
Hoti tregon se si kanë hasur në njerëz që nuk kanë qenë të informuar se cilit grup të gjakut i përkasin, andaj sipas saj, të njëjtin kanë shkuar në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, kanë kuptuar se cilit grup i përkasin dhe kanë dhuruar gjak.
Ndërkaq Safete Maliqi, doktoreshë me profesion tregon se statistikat që ata i bëjnë, rezultojnë që ndër vite është shtuar numri i dhuruesve vullnetar të gjakut.
Por sipas Maliqit, me rritje e numrit të dhuruesve, janë rritur edhe kërkesat pasi po ndodhin aksidente trafiku, intervenime të shumta e sëmundje kronike.
“Me rritje e numrit të dhuruesve vullnetar të gjakut, kërkesat janë të shtuara sepse kemi një traumë të rritur, aksidente të shumta në rrugë, rritje të sëmundjeve kronike, intervenime të shumta në klinikën kirurgjike, sëmundje të gjakut e kështu me radhë”, ka thënë Maliqi.

E pyetur se si qëndrojnë me rezervat e gjakut, Maliqi tregon se çdoherë, sigurojnë rezerva. Veçse thekson faktin se ka raste kur ka mungesë të grupeve të caktuara të gjakut, ku tregon se momentalisht ka mungesë të grupit 0-negativ dhe grupit B-negativ.