Prokurori i Shtetit do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit brenda afatit ligjor kundrejt ndaj dy të dyshuarve të arrestuar nën dyshimin për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor ndaj të ndjerës 35-vjeçare, kanë deklaruar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë.
Në një përgjigje për Dukagjinin, bashkëpunëtori profesional në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, Hekuran Batusha, ka njoftuar se Prokuroria Themelore në Gjakovë tashmë ka pranuar kallëzimin penal. Siç thotë ai, kërkesa për paraburgim pritet të realizohet.
“Ju njoftojmë se kemi pranuar kallëzimin penal kundër të dyshuarve, të njëjtit me vendim të prokurorit gjenden në ndalim policor prej 48 orësh dhe brenda afatit ligjor Prokurori i Shtetit në gjykatën kompetente do të parashtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘Trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor’”, ka deklaruar Batusha.
Një burrë dhe një grua janë arrestuar pasi dyshohet të kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” ndaj viktimës 35-vjeçareje. Me vendim të prokurorit, të dy janë dërguar në mbajtje.
Ndryshe, Ministria e Shëndetësisë, në një reagim publik, ka njoftuar se institucioni shëndetësor në Malishevë, ku humbi jetën 35-vjeçarja si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor, ka ushtruar veprimtari ilegale.
Ministria bëri të ditur se përmes Inspektoriatit Shëndetësor, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, “menjëherë kanë ndërmarrë të gjitha veprimet konform kompetencave pas rastit tragjik që rezultoi me fatalitet për një qytetare”.
“Një ngjarje e tillë, në rrethana kur një qytetare humb jetën pas marrjes së shërbimeve stomatologjike në Institucionin Privat Shëndetësor ‘Doktorat’, të cilët kanë ushtruar veprimtari ilegale, është e patolerueshme dhe do të angazhohemi që të ofrojmë të gjitha provat për dënime maksimale ndaj kryersve të kësaj vepre të rëndë”, thuhet në njoftim.
Njëkohësisht, MSH-ja njofton se janë shqyrtuar edhe raportet e komisionit të licensimit lidhur me veprimtarinë e këtij institucioni privat.