Gjykata Themelore e Prizrenit ka marrë vendim për dënimin e dy ish-zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, të cilët dyshohen se kanë keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar.
Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit dhe Jetmira Vrenezi, ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë njëherësh deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, janë dënuar me nga 3 vjet burg dhe me nga 2.000 euro gjobë për rastin e rrënimit të aneksit të “ABI Çarshisë”, më 19 dhe 21 korrik 2019.
“I akuzuari I.Th, në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjë rrënimin e objektit, pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit ‘Abi’ Sh.P.K., në Prizren”, thuhet në njoftim.
“E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit ‘Abi Çarshia’ pronë e ‘Abi’ Sh.P.K., me datë 15.07.2019”, thuhet në njoftimin e gjykatës të martën”, vijon njoftimi.
Sipas Gjykatës, të akuzuarit nuk i kanë respektuar ligjet e aplikueshme dhe udhëzimet administrative.
Ndërkaq, katër të akuzuarit e tjerë janë liruar nga akuzat.