Kurti dhe Hovenier nënshkruajnë marrëveshje për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar

Kryeministri Albin Kurti dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, kanë nënshkruar marrëveshje mbi masat e sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së informacionit të klasifikuar

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë Jeffrey Hovenier, foto RTK.

Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë nënshkruar një marrëveshje që synon të mbrojë informacionin e klasifikuar dhe të forcojë bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

Kjo marrëveshje ka për qëllim garantimin e ruajtjes së informatave me interes shtetëror, komunikimin efikas dhe të papenguar me partnerët, si dhe avancimin profesional të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në një deklaratë të përbashkët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë shprehur mënyrën se si kjo marrëveshje do të ndikojë në sigurinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Kurti ka theksuar se siguria kombëtare është një prioritet thelbësor për Qeverinë dhe se ajo përfshin veprime të mençura në fushën politike, ekonomike, diplomatike dhe ushtarake për të garantuar mbrojtjen e qytetarëve.

Po ashtu, sipas tij, marrëveshja përfshin disa pikë kyçe, përfshirë ruajtjen e informacionit të klasifikuar sipas legjislacionit vendas dhe aksesin e kufizuar ndaj tij, që do të jepet vetëm personave me certifikata të sigurisë.

Ndër të tjera, ajo përcakton procedurat për menaxhimin e informacionit të humbur dhe mënyrën e asgjësimit të tij.

“Koncepti i sigurisë kombëtare është udhërrëfyesi i qeverisjes së përgjegjshme. Qeveria e ka për detyrë të sigurohet që qytetarët janë të mbrojtur, dhe një gjë e tillë e bën përmes veprimeve të mençura politike, ekonomike, diplomatike e ushtarake”, ka thënë Kurti.

Ambasadori Hovenier ka theksuar rëndësinë e shkëmbimit të informacionit të sigurisë pa pengesa dhe theksoi se SHBA-ja ka detyrimin për të mbrojtur dhe shkëmbuar informatat e klasifikuara me Kosovën.

Ai gjithashtu ka shtuar se SHBA-ja mbështet sovranitetin e Kosovës dhe synon anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian, veçanërisht në organet e sigurisë.

“Aftësia që partnerët të shkëmbejnë informata shpejtë dhe pa pengesa është jetike, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Përmbyllja e kësaj marrëveshje është e rëndësishme sepse shënon kulmin e më shumë se 2 viteve të negociatave por përfaqëson edhe arsyetimin e fuqishëm të SHBA-së  për të vazhduar bashkëpunimin me Kosovën në fushën e sigurisë”, ka deklaruar Hovenier.

Kjo marrëveshje gjithashtu, siç ka deklaruar Hovenier avancon qëllimin e përbashkët për zhvillimin e suksesshëm të FSK-së  në forcë të mbrojtjes territoriale, profesionale.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika