Autoritetet lokale në Mitrovicë të Veriut kanë marrë një vendim që ka të bëjë me ndryshimet në përdorimin e një ndërtese komunale në Lagjen e Boshnjakëve.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, është informuar zyrtarisht për këtë vendim, pasi i është dërguar një raportohet ku i kërkohet që institucionet serbe të “lirojnë” objektin brenda një periudhe të shkurtër kohore, më saktësisht brenda tre ditësh.
Ish-zëvendëskryesues i Kuvendit në Mitrovicën e Veriut, Emir Azemi, në emisionin “Five” ka treguar se objekti në fjalë ka shërbyer si gjykatë dhe më pas është shfrytëzuar nga strukturat paralele të Serbisë në Kosovë, duke përfshirë Qeverinë e Serbisë.
Objekti sipas tij është përdorur në këtë mënyrë për më shumë se 23 vjet.
“Mësa e di bëhet fjalë për disa objekte për një mesa e di unë bëhet fjalë që është afër objektit të komunës që më herët ka qenë gjykatë më pas ose para kësaj ka qenë edhe mbrojtja territoriale e vendosur por nga pas lufta është shfrytëzu nga Qeveria e Serbisë, nganjëherë ka qenë zyre e ministrisë ndërsa tani nëse nuk gaboj është zyre e Qeverisë së Serbisë e cila ka vepru qe 23 vjet aty. Por ka edhe zyre të tjera që janë të vendosura në Lagjen e Boshnjakëve por edhe në territorin e Mitrovicës Veriore, ka një numër të zyrave që veprojnë nga viti 1999 në kuadër të strukturave të Serbisë por që janë ilegalisht në territorin e Kosovës”, ka thënë Azemi.
Azemi gjithashtu ka theksuar se kërkesa për lirimin e objektit është e pritshme në kontekstin e zhvillimeve politike të fundit dhe se veprimet janë marrë në përputhje me ligjin lokal.
Megjithatë, ai ka vënë në dukje se është e rëndësishme që veprimet në këtë zonë të koordinohen me faktorët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-në.
Ai ka propozuar që ky moment të shfrytëzohet për të promovuar procesin e integrimit të komunave me shumicë serbe në sistemin juridik dhe kushtetues të Kosovës.
“Nga këndi politik veprimet e fundit por edhe veprimet e tashme mund të shihen si veprime që janë marrë në përputhje me ligjin që mund t’i ketë një organ lokal. Por siç po shihet ky veprim ka nxit reagimin e faktorit ndërkombëtarë ne patëm edhe një deklaratë të SHBA-së, dhe po mendoj që veprimet në veri edhe pse shpesh mund të jenë të ligjshme në një formë duhet të jenë koordinuara mirë sidomos me aleatin kryesor siç është SHBA-ja”, ka deklaruar ai në emisionin FIVE.
Azemi ndër të tjera ka theksuar se disa zyra tjera të Serbisë janë vendosur në territorin e Mitrovicës Veriore dhe Kosovës në përgjithësi, dhe disa prej tyre janë ilegale në Kosovë.
Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara (SHBA) në Kosovë, të mërkurën, ka thënë për REL-in se vendimi i autoriteteve lokale në Mitrovicë të Veriut për “largimin” e institucioneve serbe nga ndërtesa komunale në Lagjen e Boshnjakëve nuk është marrë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, e as në përputhje me kërkesat e saj për mosndërmarrjen e veprime që mund ta përshkallëzojnë gjendjen.