Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj vendimit të komunave të Kosovës për të dërguar Ligjin për tatimin në pronë të paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese.
Ministri Murati e ka kujtuar këtë ligj para ndryshimit, duke përmendur se ai parashikonte vlerësimin e pronave sipas tregut dhe ka bërë një vlerësim të ndryshimeve të kryera nga Qeveria Kurti.
Ai ka theksuar se Qeveria ka ndryshuar Ligjin për Tatim në Pronë, duke lejuar komunat të falin deri në 100 euro të tatimit për vitin 2023 për të gjithë tatimpaguesit.
“Thanë se qytetarit po i vihej barrë e papërballueshme, dhe se po të ishte në dorën e tyre, do ta lehtësonin këtë barrë. Qeveria Kurti e bëri këtë të mundur duke miratuar ndryshimin e Ligjit për Tatim në Pronë, ashtu që secila komunë të kishte mundësinë të falte faturat deri në 100 euro për vitin 2023, për të gjithë tatimpaguesit”, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.
Ministri Murati ka akuzuar opozitën se po tenton të hedhë fajin për barrën e rritur të tatimit në qytetarët dhe pastaj, sipas tij, pretendojnë se “ata do ta lehtësojnë këtë barrë nëse do të ishin në pushtet”.
“Dhe, çfarë bëjnë tash ata që para 6 muajsh “qanin hallin e qytetarëve”? E dërgojnë ligjin në Gjykatë Kushtetuese. Pra, po dëshmohet edhe njëherë që britmat këta nuk i kanë as për qytetarin e as për shtetin. Sidoqoftë, edhe ky veprim i tyre është i kotë”, ka shkruar tutje ai.
Ai ka vlerësuar këtë veprim si të panevojshëm dhe thotë se ligji i ndryshuar është tashmë në fuqi dhe komunat kanë të drejtën të vendosin për faljen ose jo të një pjese të tatimit në pronë deri më 15 shtator 2023.
Këtë të hënë, Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Tatimin në Pronë.
Dorëzimin e kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së këtij ligji e bën drejtori i AKK-së, Sazan Ibrahimi dhe kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Sipas Ibrahimit, Qeveria e Kosovës në mënyrë arbitrare e pa u konsultuar me komunat ka vendosur që të bëhet falja e tatimit në pronë deri në 100 euro.
Sipas tij, me këtë vendim do të dëmtohen buxhetet e komunave të Kosovës.