Shefi i kabinetit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, Visar Syla në “Magazinë” të Radio Dukagjinit ka thënë se shtyrja e afatit për lirimin e objektit komunal i cili përdoret nga strukturat paralele serbe, është bërë për t’u dhënë kohë më shumë zyrtarëve për t’u zhvendosur nga aty.
“Të ju japim zyrtarëve aty kohë më shumë që të zhvendosen nga objekti, kjo është arsyeja e shtyrjes së këtij vendimi”, ka thënë Syla.
Komuna e Mitrovicës së Veriut të premten ka marrë vendim që të shtyhet afati për lirimin e ndërtesës në lagjen e Boshnjakëve, që shfrytëzohet nga strukturat paralele të Serbisë.
Këtë e ka konfirmuar për Portalin Dukagjini kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq.
Sipas tij, sot inspektorati do t’ua kumtojë vendimin palëve për shtyrjen e afatit deri në 14 ditë.
“Po shtyhet afati për dy javë. Sot inspektorati shkon dhe do t’ua kumtojë palëve informacionin që afati shtyhet për dy javë”, ka thënë Atiq.