Në një vendim të miratuar me shumicë votash në Kuvendin Komunal të Graçanicës, qytetarët e kësaj komune do të përfitojnë nga një falje tatimi prej 100 eurosh.
Njoftimin e këtij vendimi e ka bërë nënkryetari i komunës, Leutrim Ajeti, i cili ka thënë se vendimi është marrë në përputhje me Ligjin për Tatimin në Pronë të Paluajtshme.
“Kuvendi Komunal sot me shumicë votash ka miratuar vendimin për faljen e tatimit në pronë në përputhje me Ligjin për Tatimin në Pronën e Paluajtshme,” ka bërë të ditur Ajeti, sipas raportimit të “Betimit për Drejtësi”.
Ndërkohë, në Komunën e Prizrenit, kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka dërguar Ligjin për Tatimin në Pronë të Paluajtshme në Gjykatën Kushtetuese dhe ka kërkuar masën e sigurisë.
Ky veprim është shoqëruar me reagimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili ka quajtur të panevojshëm këtë dërgim në Kushtetuese, pasi i njëjti ligj është aktualisht në fuqi.
Komunat, sipas tij, kanë kohë deri më 15 shtator për të vendosur nëse do të falin ose jo tatimin në shumën e përmendur prej 100 eurosh për qytetarët e tyre.
Tashmë, pritet të shihet se si do të vazhdojnë komunat e tjera të Kosovës me këtë çështje deri në afatin e përcaktuar më lart.