Sipas të dhënave nga Dogana e Morinës, vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në vendin tonë rreth 36 mijë qytetarë nga Kosova me 10,200 mjete.
Kështu shkruan mediumi shqiptar “TvKlan”, duke raportuar se kjo ka shkaktuar fluks lëvizjesh në Rrugën e Kombit mëngjesin e kësaj të shtune. Kolona e automjeteve arriti deri në 6 km, ndërsa drejtuesve të mjeteve iu desh deri në 30 minuta për të kaluar.
Ndërsa, “TopChannel” shkruan se referuar shifrave nga maji deri në korrik në Shqipëri kanë hyrë 1.5 milion kosovarë. Pas tyre vijnë italianët pasuar nga turistët e Malit të Zi dhe Maqedonia e Veriut, të cilët janë më pak në numër se një vit më parë.
“Pika e kalimit me më shumë fluks është ajo e Morinës më pas vjen Rinasi që sivjet ka pasur shumë lëvizje. Me fluks ka qenë edhe pika e Muriqanit dhe Qafë Thanës. Fluks të shtuar sivjet pati dhe Porti i Sarandës”, ka thënë drejtori i Kufirit dhe Migracionit, Saimir Boshnjaku.
Qytetarët nga Kosova e zgjedhin Shqipërinë veçanërisht për bregdetin, ndërsa vizitojnë edhe zona të tjera turistike.