Ndeshjet e Kosovës kundër Zvicrës dhe Rumanisë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024” po afrojnë.
Ftesat për futbollistët që do të grumbullohen për këto takime kanë filluar të dërgohen.
Njëri nga lojtarët që ka marrë ftesë është edhe qendërmbrojtësi, Kreshnik Hajrizi, sipas burimeve të RTV Dukagjini.
Kjo do të jetë hera e parë për 24-vjeçarin që grumbullohet për ndeshje zyrtare të “Dardanëve”.
Ai ka qenë pjesë e Kombëtares A vetëm në miqësoret kundër Armenisë dhe Ishujve Faroe, që u zhvilluan në nëntor të vitit të kaluar. Ndaj Ishujve Faroe kishte luajtur për 90 minuta.
Hajrizi po kalon momente të mira me skuadrën e tij, Lugano, duke qenë i pazëvendësueshëm në formacionin titullar.
Edhe pse një pjesë të sezonit të kaluar kishte qenë i dëmtuar, mbrojtësi kosovar ishte paraqitur në 22 ndeshje në të gjitha garat. Ndërsa, e njëjta gjë po vazhdon edhe këtë edicion ku ka luajtur në pesë takime.
Kosova luan kundër Zvicrës më 9 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, kurse pas tri ditësh është mysafire e Rumanisë.