Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka zhvilluar një diskutim frymëzues në kuadër të Forumit Evropian Alpbach, me një grup të rinjsh nga vende të ndryshme të botës.
Ky diskutim, siç ka thënë ajo, ka qenë i përzier dhe interesant, sepse sipas saj, është trajtuar tema e së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes së Kosovës.
Në këtë ngjarje tërheqëse të EFA2023, presidentja Osmani ka theksuar rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, duke vënë theksin në përpjekjet e vendit për të zhvilluar një demokraci të fortë dhe të përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike.
Diskutimi përfshiu vlerësimin e sfidave dhe mundësive që Kosova ka përpara, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar në këtë proces.
“Një diskutim i gjallë dhe tërheqës këtë mëngjes me të rinj nga e gjithë bota në EFA2023! Folëm për rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë dhe përpjekjet tona sot si një demokraci e lulëzuar e përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike”, ka thënë tutje Osmani në platformën X.
Osmani tashmë qe dy ditë është duke qëndruar në Alpbach, Austri, për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Evropian Alpbach 2023.
Në këtë Forum, Osmani do të jetë folëse në panelin kryesor në hapje të Forumit, i cili do të fokusohet në rishikimin e politikës aktuale të zgjerimit, adresimit të sfidave aktuale politike dhe të sigurisë, si dhe avancimin e Kosovës në rrugën drejt integrimit evropian.
Gjatë Forumit, siç kishte njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani do të realizojë edhe një bashkëbisedim me të rinjtë bursistë të Forumit Evropian nga rajoni, diaspora dhe bota, me fokus në zhvillimet e fundit në vend, por dhe qëndrimin e Kosovës karshi zhvillimeve politike në Evropë dhe përtej.
Në këtë forum po merr pjesë edhe i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.