Paqja, njohja e gjithanshme, të drejtat e pakicave e ballafaqimi me të kaluarën, janë disa nga dëshirat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që do të donte t’i shihte në rajon.
Kështu është përgjigjur ai në Forumin Strategjik “Bled 2023”, në panelin e liderëve të Ballkanit Perëndimor, teksa me radhë janë pyetur se cila është dëshira e tyre si udhëheqës të vendeve të Ballkanit Perëndimor, sa i përket bashkëpunimit me Bashkimin Evropian.
“Gjëja e parë do të ishte që të kemi paqe e pajtim në rajonin tonë që do të thotë njohje e gjithanshme, të drejta të pakicave dhe ballafaqim me të kaluarën që të mos ketë amnisti për kriminelë lufte, por as për krimin paqe sepse ka shumë kontrabandim e krim të organizuar”, u shpreh Kurti.
Kreu i ekzekutivit të Kosovës thotë se njëkohësisht do të donte që i gjithë rajoni t’i bashkohet BE-së dhe NATO-s.
“Ashtu që gjenerata e ardhshme të mos ketë asnjë vështirësi që ne kemi përjetuar”, shtoi ai.
Ndryshe nga kryeministri Kurti, për kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, “ e rëndësishme” është paqja në Ukrainë.
Kjo, sepse, sipas saj, kjo do të sillte stabilitet edhe në të gjithë kontinentin.
“Shpresoj që të ketë paqe në Ukrainë fillimisht dhe shpresoj e mendoj që kjo do të sillte stabilitet në të gjithë kontinentin dhe për të gjithë neve, shpresoj për paqe në Ukrainë”, tha ajo.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni gjatë fjalës së tij ka pasur një polemikë me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq, pasi ajo e quajti Kosovën pjesë të Serbisë.
“Së pari duhet të them se është vendi im nuk janë dy vende. E ashtuquajtura Republika e Kosovës nuk është vend ndërkombëtarisht i njohur, nuk është pjesë e OKB-së. Dyshoj se do bëhet pjesë e BE-së, së paku jo derisa të ketë njohje nga vendet e BE-së”, ka thënë Bërnabiq në pyetjen e bërë nga udhëheqësi i panelit në Forum tha se “të dyja vendet dëshirojnë të jenë pjesë e BE-së”.
Pas kësaj deklarate, Kurti ka thënë se Kosova ka vënë sanksione ndaj Rusisë, ndërsa Serbia as nuk po i mendon dhe nuk janë distancuar nga Millosheviqi as nga Putini.
Kurti polemikë me Bërnabiqin: Nuk jeni distancuar as nga Millosheviqi as nga Putini