I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit të tij në Bled, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Me anë të një postimi në platformën “X”, Lajçak ka thënë se temë kryesore e takimit ishte përgatitja e takimit të radhës në shtator, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Zhvillova një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator, me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, shkroi Lajçak.
Had an important meeting with PM @albinkurti today in Bled. Our primary topic of discussion were the preparations of the next High-level Meeting of the Dialogue in September with the focus on normalisation of relations and the implementation of the 🇪🇺 statement of 3 June. pic.twitter.com/D1hiwteDYr
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) August 28, 2023
Kryeministri Kurti, pas takimit që zhvilloi me Lajçak, ka shprehur nevojën për marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor.
Ai njoftoi se me Lajçak kanë diskutuar për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që Marrëveshja Bazë në mes të dyja vendeve të gjejë zbatim.
“Diskutuam mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Me procesin e rifokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke – de-jure dhe de-facto”, ka shkruar kryeministri Kurti.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën e 28 gushtit është takuar me emisarin special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, me të cilin kanë diskutuar lidhur me bashkëpunimin rajonal dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në platformën “X”, Kurti e cilësoi si takim të mirë, teksa të njëjtin e falënderoi për mbështetjen aktive të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës.
“Takimi i mirë me Lord Stuart Peach në Forumin Strategjik të Bledit. Folëm për bashkëpunimin rajonal dhe dialogun. E falënderova për rolin dhe mbështetjen aktive të Mbretërisë së Bashkuar”, ka shkruar Kurti.
Ndryshe, në kuadër të Forumit të Bledit për Siguri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim dypalësh me kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.