Kryeministri Albin Kurti është takuar të hënën me homologun e tij slloven, Robert Golob, njëherit nikoqir i Forumit të Sigurisë në Bled.
Në njoftimin e qeverisë thuhet se ky ishte takimi i parë dypalësh ndërmjet Kurtit dhe Golob, gjatë të cilit diskutuan për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Kryeministri i shprehu keqardhjen për përmbytjet dhe i ofroi solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin slloven për humbjet e shkaktuara nga vërshimet në fillim të këtij muaji.
“Sllovenia ka strehuar disidentët tanë të parë, na ka ndihmuar në betejën tonë çlirimtare dhe tani është ndër pesë investitorët kryesorë në ekonominë tonë theksoi Kryeministri dhe e falënderoi Kryeministrin Golob për ndihmën dhe mbështetjen e Sllovenisë për Kosovën ndër vite. Duke folur për potencialin e bashkëpunimit ekonomik, kryeministri Kurti vuri theksin te mundësitë që Kosova ofron për investitorët huaj. Pozita e përshtatshme gjeografike, politikat e favorshme fiskale, stabiliteti institucional dhe potenciali i fuqisë punëtore e bëjnë Kosovën vend atraktiv për investimet sllovene, tha kryeministri gjersa veçoi sektorët në rritje sikurse ai ICT-TIK, përpunimit të drurit dhe metalit dhe prodhimit të ushqimit”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Në kuadër të temës “Solidaritet për Sigurinë Globale” brenda së cilës po zhvillohet forumi këtë vit, ata diskutuan edhe për bashkëpunimin rajonal, anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe dialogun për zbatim të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.
Kurti në Slloveni ka takuar edhe të dërguarin e posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach, emisarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi Miroslav Lajcak, si dhe kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov.