Analisti, Ylli Hoxhaj, ka thënë se Bashkimi Evropian po e trajton Serbinë në një mënyrë të veçantë.
Në emisionin “Debat Plus”, ku po diskutohet për diskutimet e udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë panelit të liderëve në Forumin Strategjik të Bledit, Hoxhaj ka thënë se presidenti Macron ka shprehur një kërcënim mbi një proces që nuk do të ishte më i negociushëm.
Macron tha se Franca dhe Gjermania kanë bërë ato zotime sa u përket politikave të vizave dhe çështjeve të tjera ekonomike që do të rishikohen, nëse të dyja palët nuk arrijnë të sillen me përgjegjësi.
“E vërtetë është që presidenti Macron ka shprehur një kërcënim mbi një proces që nuk do të ishte më i negociushëm. Ekziston një joparimësi në deklaratën që tashmë është gjë e ditur dhe e pritur. Kjo joparimësi në fakt është parë edhe në panelin e Bledit, në ballafaqimin midis Kurtit dhe Bërnabiqit, prej të gjithave shteteve aspiruese, është një shtet i cili nuk është në fakt aspirues fare, që është Serbia, nuk e aspiron procesin euroatlantik fare, qytetarët deklarohen kundër, Qeveria e saj deklarohet kundër, dhe gjithë BE-ja sillet se Serbia në fakt po do të bëhet anëtare, të gjithë tjerët ndëshkohen për qëndrimet dhe politikat e Serbia lirohet mbi intencat”, tha Hoxhaj.
Ai theksoi se mbi Serbinë, BE-ja ka krejtësisht një qëndrim “joparimor dhe paksa skizofrenik”.
“Kurti nuk tha asgjë tjetër pos një realitet që është i hidhur dhe po ky realitet po bëhet sot shkaktar i sanksioneve që BE-ja i ka vendosur Kosovës. Gjasat që do të kemi një rezultat për marrëveshjen në dialogun Kosovë-Serbi janë gjegjësisht krejtësisht afër zeros”.