Profesori Nexhmedin Spahiu ka deklaruar se brenda këtij viti ose do të ketë një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë, ose luftë.
Në një linjë telefonike në “FIVE” të RTV Dukagjini, profesori Spahiu ka vlerësuar se tani është koha për t’u arritur diçka në kuadër të dialogut në mes të dyja vendeve.
“Është koha e fundit që të arrihet diçka. Unë besoj se brenda vitit ose do të kemi marrëveshje, ose do të kemi luftë, sepse gjendja është e patolerueshme për vendet e perëndimit, të cilat tentojnë që ta përmbyllin këtë proces në Ballkan”, ka deklaruar ai.
Spahiu ka komentuar edhe deklaratën e presidentit francez, Macron pas paralajmërimit të masave ndaj Kosovës dhe Serbisë nëse ato nuk ndjekin një “rrugë të përgjegjshme”. Deklaratën e tij, Spahiu e vlerësoi një kërcënim më të madh për palën serbe sesa atë kosovare.
“Po patjetër që është një kërcënim serioz. Ka kohë që Bashkimi Evropian tashmë po i humb nervat për ta përmbyllur këtë çështje në Ballkan, domethënë në mes Kosovës dhe Serbisë. Sigurisht që ky është një kërcënim më i madh për Serbinë sesa për Kosovën, por gjithsesi është edhe një kërcënim për Kosovën që të lëvizë më shpejt për hapat që duhet të ndërmarrë”, ka deklaruar Spahiu.
Për palën kosovare, Spahiu vlerëson se e njëjta tashmë do të duhej të propozonte një draft-statut për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Kështu, sipas tij, pala kosovare do të tregonte gatishmëshmërinë e saj.
“Një gjë që Kosova do të duhej të lëvizte nga vendi, është që të kishte të paktën një propozim formal për Asociacionin, me kompetenca të zbehta sigurisht, por që do të quhej një propozim. Dhe sigurisht që ai propozim nuk do të miratohet, do të ketë diskutim, por do ta tregonte të paktën vullnetin e vet siç e ka treguar për të mbajtur zgjedhjet e lira, të parakohshme në veri. Edhe pse ato zgjedhje kumedit se kur do të mbahen dhe a do mbahen, por gjithsesi, Kosova ka treguar gatishmëri…mirë do të ishte të nisnin nënshkrimet për peticionin.”, ka deklaruar ai.
Profesori Spahiu ka vlerësuar që mbetet në interes të Kosovës që të arrihet një marrëveshje me Serbinë.