Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka ushtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Gjilan, ndaj kryetarit aktual të kësaj komune, Kadri Rahimaj, si dhe ndaj Afrim Dervishit, drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Mosekzekutim i vendimeve gjyqësore” dhe “Vetëgjyqësi”.
Në kallëzimin penal të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se është vepruar në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit dhe të asaj Themelore, përmes të cilave, vendimi ishte vendosur të mos zhvillohej procesi mësimor në shkollat e mbyllura, deri në vendosjen meritore sipas padisë.
“I dyshuari ka vepruar në kundërshtim me vendimet vijuese gjyqësore: (1) Aktgjykimin e Gjykatës Supreme të Kosovës, me numër ARJ nr.67/2022, të datës 25.08.2022; (2) Aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, Departamentit për Çështje Administrative, me numër AA.nr.322/2022, të datës 06.05.2022; dhe (3) Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamentin për Çështje Administrative, me numër A.nr.202/2022, të datës 21.03.2022 i plotfuqishëm nga data 25.08.2022 (tutje, të tri vendimet së bashku referuar si “Vendimet gjyqësore”)”, thuhet në kallëzim penal.
Tutje, thuhet se vendimet gjyqësore janë marrë në konfliktin administrativ të iniciuar nga Venhar Rahimi, në cilësi të paditësit/propozuesit dhe nga Qëndron Kastrati, në cilësi të palës së interesit, kundër komunës së Kamenicës, në cilësi të së paditurës.
“Vendimet gjyqësore janë marrë në konfliktin administrativ të inicuar nga z. Venhar Rahimi – në cilësi të Paditësit/Propozuesit dhe nga Qëndron Kastrati – në cilësi të Palës së Interesit, kundër komunës së Kamenicës – në cilësi të së Paditurës”, thuhet më tej.
Aty thuhet se objekt i këtij kontesti ka qenë vendimi i komunës së Kamenicës, me numër 390, i 29 dhjetorit 2021 dhe se përmes vendimeve të gjykatave të tri shkallëve, ishte vendosur të mos zhvillohet procesi mësimor në shkollat e mbyllura, deri në vendosjen meritore sipas padisë.
“Përmes Vendimit nr.390, komuna e Kamenicës ka shfuqizuar pjesërsisht një vendim tjetër të marrë nga ajo, përkatësisht nga Qëndron Kastrati si kryetar i Komunës, më datë 09.09.2022, me numër të protokolit 19870, (“Vendimi nr.19870”). Ndërkaq, përmes vendimeve gjyqësore, gjykatat e tri shkallëve kanë aprovuar kërkesën time dhe të Venhar Rahimit dhe kanë shtyrë ekzekutimin e Vendimit nr.390. Rrjedhimisht, gjykatat kanë lënë në fuqi vendimin nr.19870. Kjo nënkupton që gjykatat kanë vendosur që deri në vendosjen meritore sipas padisë, të mos zhvillohet procesi mësimor në Shkollën Fillore dhe të Mesme të Ulët “Skenderbeu” (ShFMU “Skenderbeu”), në fshatin Kopernicë, ShFMU “Sadri Misini”, në fshatin Shipashnicë e Poshtme, ShFMU “Asllan Thaçi”, në Karaqevë të Poshtme, ShFMU “Xhelal Sopi”, në Petroc, (tutje referuar si “Shkollat e mbyllura”), në komunën e Kamenicës”, thotë kallëzimi penal.
Por, thuhet se përkundër që gjykatat kanë ndaluar vijimin e mësimit në ato objekte, kryetari Rahimaj dhe personat tjerë përgjegjës të komunës së Kamenicës nuk kanë përfillur gjykatat, përkatësisht vendimet gjyqësore.
“Kjo për shkak që kanë lejuar zhvillimin e mësimit në Shkollat e mbyllura me fillim nga muaji Tetor 2022 – kur edhe ka filluar viti mësimor në Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta në Kosovë. Një gjë e tillë dëshmohet edhe nga ditarët e ShFMU “Skenderbeu”, thuhet në kallëzim penal.
Po ashtu, kallëzimi penal u ushtrua edhe nën dyshimin se të dyshuari kanë kryer veprën penale “Vetëgjyqësi”.
“Për shkak të mospërfilljes së gjykatës, përkatësisht moszbatimit të vendimeve gjyqësore dhe lejimit të zhvillimit të procesit mësimor në shkollat e mbyllura, rezulton se të dyshuarit kanë tentuar të vendosin vetë për këtë rast. Veprimet e tilla arbitrare të lejuara nga i dyshuari, në mënyrë të njëanshme, sikurse kemi argumentuar më sipër, janë në kundërshtim me vendimet gjyqësore dhe konsistojnë në kryerjen e veprës penale të vetëgjyqësisë”, thuhet në kallëzim penal.
Kastrati ka kërkuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan që pas shqyrtimit të kallëzimit penal, të nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj dy të dyshuarve dhe të dyshuarve tjerë të mundshëm dhe më pas të ngrisë aktakuzë për kryerje të veprave penale të lartpërmendura.
“Rrjedhimisht, kërkoj nga Prokuroria Themelore në Gjilan që pas shqyrtimit meritor të këtij Kallëzimi, të nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të dyshuarve dhe të dyshuarve të tjerë të mundshëm dhe, më pas, të ngrisë aktakuzë kundër të dyshuarve për shkak të kryerjes së veprave penale në fjalë”, thuhet në fund.
Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar me kryetarin Rahimaj, i cili tha se nuk është i informuar se ndaj tij është ngritur kallëzim penal.
“Jo nuk jam i informuar, prej juve po informohem dhe mund të konfirmoj se mësimi po mbahet ende në këto ambiente”, Rahimaj.
Po ashtu, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë edhe me Afrim Dervishin, mirëpo i njëjti deri në publikimin e këtij raporti, nuk është përgjigjur. /BetimipërDrejtësi