I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Beograd.
Sipas njoftimit nga zyra për media e Vuçiqit, takimi i së mërkurës do të mbahet në objektin e Presidencës serbe.
Ky takim, i cili do të nisë nga ora 12:00, vjen pas pjesëmarrjes së Lajçakut në Forumin strategjik “Bled 2023”.
Ndryshe, Lajçak, gjatë qëndrimit të tij në Bled, është takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Me anë të një postimi në platformën “X”, Lajçak ka thënë se temë kryesore e takimit ishte përgatitja e takimit të radhës në shtator, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
“Zhvillova një takim të rëndësishëm me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, sot në Bled. Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të Dialogut të Nivelit të Lartë në shtator, me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së 3 qershorit”, shkroi Lajçak.
Kryeministri Kurti, pas takimit që zhvilloi me Lajçakun, ka shprehur nevojën për marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor.
Ai njoftoi se me Lajçakun kanë diskutuar për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që Marrëveshja Bazë në mes të dyja vendeve të gjejë zbatim.
“Diskutuam mundësinë për takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel për zbatimin e Marrëveshjes Bazë. Me procesin e rifokusuar të zgjerimit të BE-së, ne kemi nevojë për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe njohje reciproke – de-jure dhe de-facto”, ka shkruar kryeministri Kurti.