Në Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria aktuale po bën xhiro lidhur me këtë çështje.
Me anë të një postimi në Facebook, Tahiri ka theksuar se Kosova humbi kohë, Serbia e fitoi atë për rehabilitim, harresë dhe për fshehjen e krimeve, pas të cilave fshihen mijëra kriminelë që jetojnë të lirë në Serbi e rajon.
“Sot, është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Po bëhen 24 vjet, e brezat janë ende në pritje të zbardhet fati i tyre. Dhimbja është e padurueshme, sidomos për ata që tashmë po kanë më pak shpresë se do të mësohet diçka. Kjo qeveri erdhi me premtime, për të bërë diçka më shumë për ato mijëra familje, që kurrë nuk gjetën paqe për fatin e tyre. Kjo qeveri erdhi me premtime programore, e mijëra grafite rrugëve e shesheve për të zhdukurit. Ajo çfarë sot po bënë xhiro, janë vetëm grafitet fashiste në Serbi, ku bëhet thirrje për vrasje të shqiptarëve e për një luftë të re”, ka shkruar ai.
“Si shoqëri e institucione, nuk guxojmë që ky të jetë rezultati. Nuk guxojmë që zbardhja e fatit të të zhdukurve të përdoret për dakordime formale, e tregtime me afate në dialog, pa asnjë epilog”.