Norvegjia, anëtare e NATO-s, do t’i ndjekë hapat e Holandës dhe të Danimarkës për t’i dhuruar Ukrainës aeroplanë luftarakë F-16 për ta ndihmuar Kievin në luftën e tij kundër Rusisë, thanë mediat norvegjeze gjatë javës së kaluar.
Ky njoftim u bë ndërkohë që kryeministri norvegjez Jonas Gahr Store po vizitonte Kievin në prag të Ditës së Pavarësisë së Ukrainës.
Megjithatë, nuk kishte asnjë konfirmim zyrtar të planit, i cili u raportua nga transmetuesit norvegjezë NRK dhe TV2.
Norvegjia do të jetë vendi i tretë evropian pas Holandës dhe Danimarkës që do t’i dhurojë Ukrainës aeroplanë F-16.
Ukraina ka kërkuar prej kohësh aeroplanë luftarakë të sofistikuar, për t’i dhënë asaj një avantazh luftarak. Kohët e fundit ajo filloi një kundërofensivë të shumëpritur kundër forcave të Kremlinit pa mbulim ajror, duke i vendosur trupat e saj në mëshirën e aviacionit dhe të artilerisë ruse.
Në shkurt, Norvegjia e pasur me naftë njoftoi se po i dhuron Kievit 75 miliardë krona (7 miliardë dollarë) si pjesë e një pakete mbështetjeje pesëvjeçare, duke e bërë Norvegjinë një nga donatorët më të mëdhenj në botë për Ukrainën.
Paratë do të ndahen në mënyrë të barabartë midis ndihmës ushtarake dhe humanitare gjatë pesë viteve, të ndara në 15 miliardë korona (1.4 miliardë dollarë) në vit.
Të enjten, Norvegjia njoftoi se do t’i dhuronte Ukrainës raketa antiajrore, duke thënë se “mbrojtja ajrore është kritike për aftësinë e Ukrainës për ta mbrojtur popullsinë civile dhe infrastrukturën e vijës së parë dhe njësitë ushtarake kundër çdo lloj sulmi ajror rus”.
“Ky është një nga donacionet më të mëdha norvegjeze të materialit ushtarak për Ukrainën deri më tani” – tha Gahr Støre në një deklaratë.
Qeveria norvegjeze ka thënë prej kohësh se po e shqyrton dërgimin e F-16 në Ukrainë. Në janar, Norvegjia mori të parin donacion nga 52 sosh F-35 që ka porositur. Aeroplanët e rinj luftarakë do ta zëvendësojnë flotën norvegjeze të F-16.
Javën e kaluar, Holanda dhe Danimarka njoftuan se do t’i dhurojnë Ukrainës aeroplanë F-16.
Danimarka ka treguar se do të sigurojë 19 aeroplanë, ndërsa Holanda nuk ka thënë se sa aeroplanë do të dhurojë.