Djali që shkon te varri i zbrazët i babait e s’ka ku të vendosë lule

Disa nga familjarët e Agron Limanit u vranë e më pas trupat e tyre u zhdukën me dhunë nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë. Atij iu vra babai, vëllai, xhaxhai dhe djali i xhaxhait në Masakrën e Krushës së Vogël. Deri më tani ai ka arritur t'i varrosë vetëm eshtrat e vëllait të tij Luanit, derisa tre familjarët e tjerë vazhdojnë të konsiderohen persona të zhdukur

Varret e zbrazëta në Krushën e Vogël, Foto: REL

Për 24 vjet me radhë, pritja për zbardhjen e fatit të familjarëve të tij vazhdon ta torturojë.

Disa nga familjarët e Agron Limanit u vranë e më pas trupat e tyre u zhdukën me dhunë nga ushtria serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Atij iu vra babai, vëllai, xhaxhai dhe djali i xhaxhait në Masakrën e Krushës së Vogël.

Ndryshe nga tre familjarët e tjerë, trupat e të cilëve vazhdojnë të figurojnë ende si persona të zhdukur, mbetjet mortore të vëllait, Luanit, janë gjetur dhe identifikuar në vitin 2016.

No description available.
Luan Limani, eshtrat e të cilit janë gjetur më 2016

Shpresat e Agronit për gjetjen e trupave të familjarëve të tij janë të vogla.

“Pritshmëritë tona janë minimale, sepse nuk ka interesim. Zbardhja e fatit të personave të zhdukur në masë të madhe varet nga sjellja para drejtësisë të atyre që janë përgjegjës. Ata e kanë çelësin për të treguar se ku i kanë tretur këto viktima e që në rastin tonë, kjo është relativisht e lehtë, pasi autorët e krimit janë kryesisht serbë nga Krusha e Vogël”, u shpreh ai për Portalin Dukagjini.

Agron Limani, familjar i katër personave të vrarë në Masakrën e Krushës së Vogël, Foto: REL

Agron Limani thotë se “përkundër represionit e krimeve të bëra në Kosovë, kjo indiferencë e institucioneve tona ka ndihmuar që Serbia të shfaqet sa më pak e kriminalizuar dhe jo rrallëherë edhe në cilësinë e viktimës”.

Ai thotë se asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitetin e domosdoshëm institucional.

“Fotografitë – që mbetën gjithçka si kujtim”

Disa fotografi janë gjithçka që kanë mbetur si kujtim nga familjarët e tij.

Kjo falë të afërmve që i kanë ruajtur ato e që në atë kohë ishin jashtë vendit.

“Pos fotografive, asgjë tjetër”, thotë Limani.

No description available.
Tre familjarët e Agron Limanit që vazhdojnë të jenë të zhdukur

Masakra e Krushës së Vogël konsiderohet ndër masakrat më të mëdha që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë.

Sipas tij, në këtë masakër janë vrarë (zhdukur) 112 shqiptarë, nga 13 deri në 77 vjeç. Pas kthimit të popullsisë nga Shqipëria, vritet edhe një fëmijë 12-vjeçar nga minat që serbët kishin vendosur në fshat dhe numri i të vrarëve arrin në 113.

“Shprehur në përqindje, në Krushë të Vogël janë vrarë( zhdukur) rreth 70 % e meshkujve  nga mosha 13- vjeçare deri në atë më të vjetrin. Pra, është masakra më e madhe që ka ndodhur në Kosovë. Që nga 26 marsi i vitit 1999, janë varrosur 52 persona, gjersa ende mbeten të zhdukur 61 persona”, thotë ai.

30 gushti është Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur.

Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, në Kosovë vazhdojnë të mungojnë edhe mbi 1600 persona, të zhdukur me dhunë.

Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në vitin 1999, të zhdukur kanë qenë rreth gjashtë mijë e 500 persona.

Që nga ajo kohë, janë kryer disa zhvarrime në varreza masive në Kosovë dhe Serbi dhe deri më tash janë gjetur rreth 70 për qind e të zhdukurve.

Deklarata e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

Ne angazhohemi bashkërisht,

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,

Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,

Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,

Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,

Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika