I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka pasur një takim të mërkurën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Përmes një postimi në rrjetin social “X” emisari evropian ka thënë se me Vuçiq kanë diskutuar për takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi i cili pritet të mbahet në shtator si dhe përpjekjet për uljen e tensioneve.
In Belgrade today, I had substantive discussions with @predsednikrs @avucic about the next High-level Meeting in September, efforts to lower tensions and hold new local elections in the north of Kosovo, as well as the implementation of all Dialogue Agreements. pic.twitter.com/O2yxwRVVyK
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) August 30, 2023
“Në Beograd sot kam pasur diskutime thelbësore me Vuçiq për takimin e radhës të nivelit të lartë në shtator, përpjekjet për uljen e tensioneve dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, si dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të Dialogut”, ka shkruar Lajçak.
Ndryshe, të martën, emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, e ka konfirmuar se në shtator do të ketë takim të nivelit të lartë në Bruksel.
Këtë e bëri të ditur pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, në Bled të Sllovenisë.
“Tema jonë kryesore e diskutimit ishin përgatitjet e takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë në shtator me fokus normalizimin e marrëdhënieve dhe zbatimin e deklaratës së BE-së të 3 qershorit”, ka thënë Lajçak.
Kryeministri Kurti, pas takimit që zhvilloi me Lajçakun, ka shprehur nevojën për marrëdhënie të mira fqinjësore në Ballkanin Perëndimor.
Ai njoftoi se me Lajçakun kanë diskutuar për mundësinë e një takimi të nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që Marrëveshja Bazë në mes të dyja vendeve të gjejë zbatim.