Koreja e Veriut tha të enjten se ka simuluar sulme bërthamore ndaj Koresë së Jugut dhe se është duke e ushtruar pushtimin e territorit të fqinjit të vet rival, në rast të një konflikti në Gadishullin Korean.
Peniani i ka testuar në të kaluarën raketat bërthamore dhe ka shpjeguar sesi do t’i përdorte ato në një luftë të mundshme me Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara.
Por, ajo e ritheksoi doktrinën e vet agresive bërthamore për t’i frikësuar kundërshtarët duke i zbuluar planet e hollësishme për luftë, duke e përshkallëzuar protestën kundër stërvitjeve të vazhdueshme mes Koresë së Jugut dhe Shteteve të Bashkuara, të cilat i vlerëson si kërcënim serioz ndaj sigurisë, thonë vazhduesit.
Ushtria e Koresë së Veriut tha se i shkrepi dy raketa taktike balistike nga kryeqyteti të mërkurën mbrëma, për t’i ushtruar “sulmet që e djegin tokën” më qendrat e mëdha të komandës dhe aeroportet operacionale të Koresë së Jugut, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, KCNA.
Koreja e Veriut tha se testimet e saj raketore ishin përgjigje ndaj bombarduesve amerikanë B-1B që fluturuan kalimthi gjatë një stërvitjeje të përbashkët ajrore me Korenë e Jugut të mërkurën në mëngjes.
“[Stërvitjet ajrore] janë kërcënim serioz për [Korenë e Veriut], pasi janë pjesë e skenarit për një sulm bërthamor ndaj Koresë së Veriut”, tha Shtabi i Përgjithshëm i Veriut.
“KPA nuk do t’i injorojë asnjëherë veprimet e vrazhda të forcave amerikane dhe gangsterëve ushtarakë [të Koresë së Jugut]”.
Sipas vlerësimeve të Koresë së Jugut dhe Japonisë, raketat me rreze të shkurtër veprime udhëtuan në një distancë prej 360-400 kilometra në lartësi maksimale mbidetare prej 50 kilometrave, para se të binin në ujërat mes Gadishullit Korean dhe Japonisë, shkruan REL.
Ushtria e Koresë së Jugut e quajti “provokim të madh” lëshimin e raketave nga Veriu, duke thënë se ato e kërcënojnë paqen ndërkombëtare dhe i shkelin rezolutat e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sipas të cilave, Koreja e Veriut e ka të ndaluar lëshimin e raketave balistike.
Autoritetet jugkoreane dhe japoneze thanë se aeroplanët e tyre luftarakë kryen ushtrime të kombinuara me bombarduesit amerikanë B-1B të mërkurën.
Koreja e Veriut i cilëson si përgatitje për pushtim stërvitjet e mëdha ushtarake me përfshirje amerikane në dhe afër Gadishullit Korean.