Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të enjten ka pritur në takim kongresistin, Mike Turner, kryetar i Komitetit të Përhershëm të Dhomës së Përfaqësuesve të ShBA-së për Shërbimet e Inteligjencës.
Në këtë takim, e para e vendit raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës i ka cilësuar strategjike edhe ekzistenciale, ndaj ka falënderuar kongresistin Turner për mbështetjen ndër vite, të cilën ai ia ka dhënë Kosovës në rrugën e shtetndërtimit.
Presidentja Osmani ka potencuar se shteti i Kosovës është edhe histori suksesi e ShBA-së.
“Përkushtimi i palëkundur i Shteteve të Bashkuara për kauzën e Kosovës ka qenë i domosdoshëm në rrugëtimin tonë drejt pavarësisë dhe shtetësisë”, ka thënë Osmani, njofton presidenca.
Tutje, Osmani ka bërë të ditur se synimi i Kosovës është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si: NATO, BE, Këshilli i Evropës dhe të tjera.
Në raport me bashkëpunimin me ShBA-në, presidentja Osmani potencoi atë në sferën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
“Kësisoj, Presidentja Osmani përmendi aspiratën e Kosovës për anëtarësim fillimisht në Partneritet për Paqe (PfP), e pastaj në NATO, ku mbështetja e SHBA-ve është esenciale.
Mëtej, Presidentja Osmani përmendi faktin se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka bashkëpunim të ngushtë me shërbimet inteligjente të SHBA-ve në adresimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë që mund ta cenojnë paqen dhe sigurinë në Kosovë e rajon.
Ndërkaq në raport me situatën në veri të vendit, Osmani ka theksuar se Kosova ka bërë hapa përmbajtjësorë në shtensionimin e situatës dhe se vazhdon të jetë palë konstruktive në këtë proces teksa ka theksuar “obstruksionet e Serbisë, si dhe veprimet destabilizuese në veriun e Kosovës nëpërmjet bandave kriminale të dirigjuara nga Beogradi”.
Osmani ka ripotencuar rëndësinë e zbatimit të plotë të të gjitha detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit.