Njësia e Doganës së Kosovës, ka zhvilluar një operacion në pesë barnatore në Prishtinë të enjten, me qëllim identifikimin dhe konfiskimin mallrave të kontrabanduara.
Gjatë operacionit, sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, janë identifikuar dhe konfiskuar mallra pa banderola në tre prej këtyre lokacioneve, të cilat janë të fshehura në hapësira të ndryshme.
Malli i gjetur përbëhet prej më shumë se 350 lloje të ndryshme të medikamenteve.
“Bazuar në informatat e marra nga rrugët operative, njësit e doganës kanë koordinuar një aksion në këto pesë lokacione. Gjatë kontrollit, janë identifikuar tri lokacione ku u zbuluan mallra pa banderola, të fshehura në hapësira të ndryshme. Mallrat e kontrabanduara janë konfiskuar menjëherë dhe proceset ligjore kundër personave të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kanë filluar”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Dogana e Kosovës ka lansuar aplikacionin eDogana, i cili është i disponueshëm për pajisjet Android dhe iOS. Ky aplikacion mundëson qytetarët të lajmërojnë parregullsi dhe sjellje jo profesionale në mënyrë të sigurt.
Përveç kësaj, siç thuhet në njoftim, aplikacioni ofron shërbime të tjera për të shërbyer komunitetin e prodhuesve dhe tregtisë në përgjithësi.