Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për subvencionim të teksteve shkollore dhe jo të blihen me tenderë nga shtëpitë botuese siç ishte në të kaluarën.
Hoti tha se është hera e dytë që mësimi nuk do të filloj me rregull për faj të Qeverisë, derisa theksoi se librat e blera do të kushtojnë më shumë për buxhetin e shtetit se sa në të kaluarën.
“Miliona euro më shumë nga buxheti për libra për shkak të neglizhencës e paaftësisë. Shtëpitë botuese do të marrin nga libraritë, apo shitësit me pakicë, shumën e njëjtë të buxhetit sikurse që ofertuan në tenderin e qeverisë, ndoshta edhe më shumë. Por, librat do t’i kushtojnë buxhetit të shtetit miliona euro më shtrenjtë pasi tani duhet paguar edhe marzhën e shitësve me pakicë të librave”, tha Hoti.
Këto zhvillime Hoti i ka quajtur degradim duke e bërë fajtor qeverisjen e Albin Kurtit.
“Për keqardhje ku ka degraduar qeverisja e vendit. Imagjinoni si do kishin reaguar këta mashtrues sikur kjo të ndodhte në qeveritë paraprake. Është viti i dytë me radhë që mësimi nuk fillon me rregull. Vitin e kaluar qeveria ishte në luftë me sindikatat dhe u humbën shumë javë mësim. Këtë vit problemi me librat do të pamundësoj nisjen e rregullt të mësimit”, tha ai.