Në arsimin parauniversitar të Kosovës, të premten e 1 shtatorit, fillon viti shkollor 2023/24.
Për dallim nga viti i kaluar kur pati grevë, këtë vit SBAShK-u nuk paralajmëroi për ndonjë të tillë.
Ishte Ministria e Arsimit që pak ditë para fillimit të vitit shkollor njoftoi se do të ndahen mjete për prindërit e nxënësve në mënyrë që ato të shpenzohen për blerjen e librave.
Kjo ka ngjallur reagime të shumta nga sindikata e arsimit, prindërit dhe opozita, të cilët e kanë quajtur “eksperiment të gabuar” vendimin e MAShTI-t.
Ndryshe, Ministria e Arsimit i ka shpërndarë falas librat për nxënësit e shkollave fillore nga viti 2008.
Por, vendimi i sivjetmë, sipas këtij dikasteri, erdhi për shkak të “dështimit të marrëveshjes me shtëpitë botuese për furnizimin e shkollave me libra” pasi “shtëpitë botuese kanë ofertuar çmime shumë më të larta se ato që i vendosin në libraritë e tyre”.
Ministria e Arsimit ka marrë vendim që të ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi këta të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar, për çka qeveria ka ndarë rreth 13 milionë euro.
Vetë ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar të enjten se kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të prindërve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht, e që janë mbi 81 mijë përfitues.
Sipas saj, numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë. Ajo ka thënë po ashtu se pjesa e mbetur do të trajtohet me grupin e radhës./KP