Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci, i ka uruar nxënësit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Me anë të një video-mesazhi të publikuar në Facebook, Nagavci ka deklaruar se puna për rritjen e cilësisë së teksteve mësimore po vazhdon.
“Nxënës, mësues e prindër, urime viti i ri shkollor. Sot shkollat tona hapin dyert për të mirëpritur fëmijët në ditën e parë të vitit shkollor. MAShTI, në bashkëpunim me komunat e shkollat, ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar viti i ri shkollor 2023-2024. Si ministri, po punojmë çdo ditë për të përmirësuar infrastrukturën shkollore dhe ligjore dhe vazhdojmë punën tonë për rritjen e cilësisë së teksteve mësimore”, ka thënë Nagavci.
Sipas saj, suksesi do të jetë i garantuar me angazhimin e stafit shkollor dhe bashkëpunimit me prindërit.
“Në bashkëpunim të vazhdueshëm e konstruktiv me shkollat e prindërit dhe me angazhimin e palodhur të mësimdhënësve e stafit tjetër në shkolla, rezultatet dhe suksesi do të jenë të garantuara”, ka thënë Nagavci.
Sot, më 1 shtator, shënohet fillimi i vitit të ri shkollor.
Ministria e Arsimit ka marrë vendim për rimbursimin e parave te prindërit, në mënyrë që ata t’i blejnë pastaj tekstet shkollore për fëmijët e tyre për vitin e ri shkollor.
Ky vendim i MASHTI-t nxiti reagime dhe kritika në opinionin publik.