Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka uruar nxënësit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo ditë është e veçantë, sidomos për ata që nisin rrugëtimin për herë të parë.
“Të dashur nxënës, mësues dhe prindër. Urime fillimi i këtij viti të ri shkollor për të gjithë ju! Kjo ditë e veçantë dhe emocionuese, posaçërisht për ju që po e nisni këtë rrugëtim për herë të parë, qoftë një fillim i sukseseve të njëpasnjëshme në jetën tuaj”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka thënë se ky fillim i vitit shkollor u shoqërua me zhgënjime teksa ka fajësuar qeverinë për dështim të sigurimit të librave për të gjithë nxënësit në kohë dhe në mënyrën e duhur.
“I kuptoj shqetësimet tuaja si prindër se kjo aventurë e jashtëzakonshme për fëmijët tuaj, u shoqërua me zhgënjime të mëdha si pasojë e dështimit të Qeverisë për të siguruar librat për të gjithë nxënësit me kohë dhe në mënyrën e duhur. Por, ky dështim le të mbetet në ndërgjegjen e Qeverisë, para se të bëhet pengesë për ëndrrat e fëmijëve tanë. Është shumë e rëndësishme që përtej këtyre sfidave, të mos i lëmë synimet tona të lëkunden. Sot është një ditë për të përqafuar ëndrra dhe aspirata të reja”, ka vijuar Krasniqi.
Sipas tij, vetëm me përpjekjet kolektive të nxënësve, mësuesve dhe prindërve, mund të kapërcehen vështirësitë.