Pentagoni ka thënë të enjten se “Grupi Wagner i Rusisë në thelb ka përfunduar” pas vdekjes së udhëheqësit të tij, Yevgeny Prigozhin, si pasojë e rrëzimit të aeroplanit javën e kaluar.
“Mendoj se çështja më e madhe është se Grupi Wagner thelbësisht ka përfunduar,” ka deklaruar zëdhënësi i Pentagonit, Brigadier-Gjeneral Patrick Ryder, gjatë një konference për shtyp kur u pyet nëse beson se marrëveshja e armëve mes Wagner dhe Koreas së Veriut është në fund.
“Mendoj se është shumë e sigurt të thuash se nuk ka shumë bisedime që po zhvillohen aty”, ka thënë tutje ai për gazetarët.
“Por përsëri, çështja më e gjerë këtu është Qeveria ruse, për të cilën, Wagner po punonte, në mbështetje të operacioneve në Ukrainë”.
Në një moment, ai ka thënë se Grupi Wagner ishte forca më e fuqishme luftarake që Rusia kishte në Ukrainë, por ata tani janë tërhequr në mënyrë të plotë nga fusha e luftës.
“Kështu që çështja më e gjerë këtu është Rusia që po kërkon regjime të veçanta, përfshirë Iranin, për të përpjekur të marrë më shumë municione ose armë”, ka deklaruara ai, raporton AA.
Javën e kaluar, një aeroplan Embraer-135 u rrëzua pranë fshatit Kuzhenkino në rajonin Tver të Rusisë, ndërsa fluturonte nga Moska në Sankt Petersburg, duke vrarë të gjithë 10 njerëzit në bord, përfshirë Prigozhin.
Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya), më vonë ka publikuar një listë me emrat, të cilët përfshinin themeluesin e Grupit Wagner, Dmitry Utkin dhe punonjësit e tjerë të Wagner.
Komiteti Hetimor i Rusisë ka thënë të dielën se kishte përfunduar identifikimin gjenetik të atyre që vdiqën në rrëzimin e aeroplanit privat, duke konfirmuar se lista e publikuar nga Rosaviatsiya ishte e saktë.