Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka uruar homologun e saj të Shqipërisë, Bajram Begaj dhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama, pasi Shqipëria mori presidencën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Në platformën sociale X, e njohur më parë si Twitter, presidentja Osmani ka shprehur mbështetjen dhe i ka inkurajuar për detyrën e rëndësishme, duke e konsideruar atë në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë.
Gjithashtu, ajo ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në promovimin e vlerave të përbashkëta demokratike në nivel global.
“Suksese Presidentit Bajram Begaj dhe kryeministrit Edi Rama dhe Misionit të Përhershëm të Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, derisa Shqipëria merr presidencën e Komisionit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë kohë vendimtare për paqen dhe sigurinë, është e rëndësishme që ne të vazhdojmë të qëndrojmë të bashkuar në promovimin e vlerave tona të përbashkëta demokratike globalisht”, ka thënë Osmani.
Kjo është hera e dytë, pas qershorit 2022, për Shqipërinë e cila do ta marrë kryesimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Siç raporton Top-Channel, përfaqësuesja amerikane në Këshillin e Sigurimit, ambasadorja Linda Thomas-Greenfield, në emër të Këshillit i ka uruar delegacionit të Shqipërisë fat të mbarë.
Ajo ka deklaruar se gushti ishte një muaj i ngarkuar dhe një muaj në të cilin u mblodhën për konsensus për disa çështje të rëndësishme brenda fushës.
Shefja e diplomacisë shqiptare, Olta Xhaçka, është shprehur se prioritet i presidencës njëmujore të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit do të jetë platforma e bashkëpunimit, që garanton shpërndarjen e ndihmave humanitare kudo në botë dhe për një aktivitet kushtuar agresionit të paligjshëm rus kundër Ukrainës.