Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jashari, ka ripërsëritur faktin se kjo sindikatë nuk do ta pranojë asnjëherë testimin me shkrim të njohurive të mësimdhënësve, sepse, sipas tij, testi me shkrim është nënçmues dhe degradues për mësuesit.
Sipas Jasharit, për përmirësimin e cilësisë, kjo Sindikatë ka kërkuar nga Qeveria që të shtojë stafin e inspektorëve profesionalë, por që, sipas tij, ata nuk i janë përgjigjur kësaj kërkese.
Ai tutje ka bërë të ditur se testimi për mësimdhënës nuk ka pasur në të kaluarën dhe nuk do të ketë, pasi, sipas tij, mësimdhënësit janë testuar me dhjetëra herë në Fakultetin e Edukimit.
“SBAShK-u e ka thënë tani e sa vite edhe kur kanë qenë ministrat tjerë dhe është i prerë, ne duhet t’i dallojmë dy gjëra teste me shkrim për njohurit e mësimdhënësve të Kosovës nuk ka pas, nuk ka edhe nuk do të ketë sa të ka SBAShK dhe sa të është kryetar Rrahman Jasharaj. Sepse është test denigrues, nënçmues, këta njerëz që janë në sektorin e arsimit janë testuar dhjetëra herë në Fakultetin e Edukimit, e kanë marrë nota, kanë marr diploma”, ka theksuar ai për EO.
Tutje, ai ka shtuar se kanë kërkuar nga Qeveria që rritjen e cilësisë në arsim ta bëjë duke e rritur numrin e inspektorëve profesionalë.
Sipas tij, këta inspektorë do të monitoronin mësimdhënësit në orët e mësimit se si po punonin më nxënësit, dhe të metat që do të mund t’i vërenin te mësimdhënësit, do t’i këshillonin ata se si t’i tejkalojnë këto të meta.
“Ka mësimdhënës në Kosovë që thotë populli llomitet duke punuar dhe shumica të tillë jonë, por kushtet në shkolla janë tepër të pakta për shekullin 21, shkumësa dhe shpuza, libra të vjetër e të rinj dhe ata mësimdhënës shumë kanë nevojë dhe ata kanë dëshirë që të shkojnë inspektorët profesionalë në klasa, në mënyrë që të metat që i kanë dhe i përsërisni dita e ditës t’i heqin. Këto të meta duhet t’i kishin hequr nga këshillat që do të i’u jepnin ekspertët e arsimit, gjegjësisht inspektorët profesionalë”, ka thënë ai.
Jashari ka theksuar se për cilësinë e dobët në arsim do të duhet që të thirren profesorët e Fakultetit të Edukimit, pasi, sipas tij, nga aty dalin mësimdhënësit.