Ushtarakë nga Kosova kanë arritur rezultate të larta në Akademitë Ushtarake të Turqisë.
Nëntoger Edison Murtezi ka diplomuar me sukses të lartë në Universitetin e Mbrojtjes Nacionale, pranë Akademisë Tokësore të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, si dhe OR3 Sylejman Dalloshi ka përfunduar me sukses Kolegjin profesional të Nënoficerëve( NOF), të Forcave Tokësorë.
Me anë të një postimi në Facebook, Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se nëntogeri Murtezi ishte në mesin e 937 oficerëve të diplomuar nga Republika e Turqisë dhe 76 oficerë ndërkombëtarë.
“OF1 Edison Murtezi dhe OR3 Sylejman Dalloshi përfunduan me sukses të lartë shkollimin e tyre në Republikën e Turqisë, duke përfaqësuar kështu shtetin e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës në mënyrën më të mirë, duke treguar rezultate të larta gjatë shkollimit”, thuhet në njoftim.
Krahas kësaj, bëhet e ditur se të dy do të kthehen në FSK për të dhënë kontributin e tyre në ngritjen dhe avancimin profesional të FSK-së.
Njëherit, nga FSK-ja kanë njoftuar se shkollimi është realizuar në kuadër të bashkëpunimeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës me Republikën e Turqisë.
Në ceremoninë e diplomimit të oficereve morën pjesë udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Republikës së Turqisë, presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ministri i Ministrisë së Mbrojtjes Nacionale, Yasar Guler, përfaqësues shtetërorë, të universitetit të mbrojtjes, atashe ushtarak të shteteve të ndryshme, atasheu i Mbrojtjes nga Kosova në Republikën e Turqisë, familjare dhe të afërm të diplomuarve.